Në fjalën e tij në Parlament, kryeministri Edi Rama tha se aksioni anti-KÇK nuk mund të niste me politikanët.
“Të gjithëve do të na vijë radha, nga unë i pari e pastaj të gjithë me radhë. Ne çdo vit bëjmë deklarimin e pasurisë sonë. Ama nëse nesër vjen dita që dikush nga ne të shkojë para prokurorit apo gjykatësit, nuk diskutohet që dosja do të merret”, tha Rama.
“Imagjinoni sikur ta fillonim nga politikanët. Unë dhe kjo qeveri e poshtër, me këtë ministër të brendshëm nazist, sipas shumëkujt, që u hedh gaz serb revolucionarëve që duan një Shqipëri të lirë, nga politikanët? Jo vetëm do të kthehej viti 1945, por do të ishte në një valë 5G. Kështu që kjo nuk mund të ndodhë dhe as duhet ta çojë njeri nëpër mend, pavarësisht mllefit dhe shqetësimeve dhe inatit që mund të ketë shumëkush me politikanë të caktuar. Sepse kjo nuk është drejtësi, por është fundi i drejtësisë. Kjo nuk është ta çosh Shqipërinë përpara e ta bësh vend europian, por ta zhysësh shtatë pashë nën dhe”, tha Rama.