Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ky vit qeverisës ka qenë ndër më të vështirët, pasi sipas tij Shqipëria nuk arriti të merrte negociatat dhe kjo sipas tij kishte në themel frikën nga drejtësia e re.
Edhe një herë kryeministri Edi Rama tha se mos çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian erdhi si pasojë e politikave të brendshme dhe nismës së Francës për të ndryshuar të gjithë procesin e zgjerimit. Kreu i qeverisë tha se kanë nisur tashmë takimet dhe dialogu edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për detajet e këtij procesi reformues. Kreu i qeverisë tha se kushtet e Bundestagut gjerman janë udhërrëfyes për të ecur përpara.
“Si dëshmitar i gjithë procesit mund të dëshmoj versionin tim, që refuzimi ishte rezultat i një konflikti të brendshëm në KE që lidhet me qëndrimet divergjente mes Francës dhe Gjermanisë, dhe Francës dhe një grupi të vogël shtetesh për mënyrën se si duhet të reformohet BE.
Në Paris para 4 ditësh janë thirrur 4 ambasadorë, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi, këta dy të fundit negociuan, Shqipëria dhe Maqedonia presin negociatat. Janë thirrur për dialog për mënyrën sesi sipas Francës duhet rikonfiguruar i gjithë procesi. Pavarësisht se çfarë bëri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që ka 14 vjet që pret, vendimmarrja ishte fryt i një politike të brendshme që ka krijuar një divergjencë, dhe ne e kemi humbur këtë tren të vitit 2019 në funksion të kësaj divergjencë”, tha Rama.