Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën për shtyp me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, se Ballkani Perëndimor është i gjithi me Ukrainën, përfshirë Kosovën, vend i cili nuk njihet nga Ukraina.
Rama ka bërë në këtë mënyrë një lobim që Kievi ta njohë sa më shpejt Kosovën.
“Ballkani Perëndimor ka 5 vende në OKB. Të gjithë këto vende janë rreshtuar përkrah Ukrainës, pavarësisht marrëdhënieve që kanë me të apo fesë. Ka një vend të gjashtë, që Ukraina nuk e ka njohur ende. Ky vend është Kosova. Pavarësisht kësaj, Kosova po bën të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë: sanksione ndaj Rusisë dhe mbështetje të plotë ndaj Ukrainës”, tha Rama.
“Kjo do të thotë që jemi të gjithë në një linjë për atë që përfaqësojmë”, shtoi kryeministri.