Gazeta e huaj “The New York Times”, ka publikuar ditën e sotme një lajm, në lidhje me situatën e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në postimin e saj ajo shkruan se:
“Institucioni më i lartë ligjor i zgjedhjeve në Shqipëri vendosi këtë të hënë, në favor të mbajtjes së zgjedhjeve komunale këtë fundjavë, duke shmangur një lëvizje nga Presidenti i vendit, për ti anuluar ato.
Kolegji zgjedhor me pesë gjyqtarë vendosi njëzëri se një parti e vogël politike, e cila kishte kërkuar të çregjistronte, duke u bazuar në veprimin e Presidentit Meta, duhet të marrë pjesë në votimin e të dielës.
Herët këtë muaj, Meta ka thënë se po anulonte zgjedhjet për shkak të frikës se votimi do të ishte “jo demokratik”, pa partitë opozitare të qendrës së djathtë të cilat kanë bojkotuar dhe nxitur një konflikt shoqëror. Opozita ka udhëhequr protesta që prej mesit të muajit shkurt, duke akuzuar qeverinë se është e lidhur me krimin e organizuar dhe në këtë mënyrë kanë kërkuar zgjedhje të reja.”
Në reagimin e gazetës thuhet gjithashtu se, Kryeministri socialist Edi Rama, këmbëngul se zgjedhjet duhet të vazhdojnë ashtu siç janë planifikuar dhe nga ana tjetër duke akuzuar opozitën për shantazh politik.
Por nga ana tjetër Partia Demokratike thotë se nuk njohin vendimin e kolegjit sepse një dekret presidencial mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe kanë kërcënuar se do të ndalojnë fizikisht mbajtjen e votimeve, ditën e diel.