“Nëse kamatvonesat e faturës së energjisë elektrike do të ishin zeruar që në nisje të reformës, ajo do të kishte dështuar”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në preznatimin e skemave lehtësuese për abonentët përfitues të OSHEE.
“Kundërshtarët e reformës nga të katër anët vunë kujën, falni kamatvonesat, falni kamatvonesat. Nëse ne do të kishim falur kamatvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet. Sot ne kemi 453 mijë konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do tua kthejë duke ua lehtësuar barrën e të shkuarës që është barë e përbashkët, është dhe barra e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin dhe si rezultat i mungesës së shtetit”, tha Rama.
Ai tha se shteti social nuk ndërtohet se duhen vota.
“Nuk ndërtohet shteti social se duhen vota, duke mbajtur fjalime kundër çdo reforme dhe duke iu rrotulluar thikën në plagë më të varfërve dhe atyre që kanë më pak duke u thënë se faji pse ju jeni në këtë gjendje është i atyre që sot drejtojnë. Të gjithë ata që flasin sot dhe ju tregojnë ju se sa shumë po vuani, sa dhimbje keni, sa halle keni, jo vetëm që ishin këtu, po e kanë pasur mundësinë të tregonin me vepra sa shumë e vrasin mendjen për ju e bëjnë për ju. Nuk e bënë”, tha Rama më tej.
Bashkë me ministrin Gjiknuri, kryeministri prezantoi dhe nismën për abonentët të cilët nuk jetojnë në shtëpitë e tyre por në emigracion. Ai tha se leximi i faturës do të bëhet katër herë në vit.
“Të paguhet një mesatare mujore, dhe leximi i faturës të lëxohet një herë në tre muaj dhe aty të bëhet azhornimi nëse ka më shumë detyrime operatori ia kthen qytetarit, ose e kundërta. Do të thotë që dhe qytetari mësohet me një pagesë konstante, po ka mudnësi të korrigjohen abuzime”, u shpreh ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.
Rama paralajmëroi se do të ketë ulje të TVSH-së së energjisë, por kjo kërkon të gjithë sistemin të ndërtuar dhe që është i kontrolluar dhe i kontrollueshëm nga qytetari.