Gjykata e Posaçme rrëzoi këtë të enjte kërkesën e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla për pezullim dhe shtyrje të ekzekutimit të dënimit.
Ish-kryeprokurori i kërkoi gjykatës të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit me dy vite burg. Me anë të avokatit të tij, Llalla dorëzoi pak ditë më parë një kërkesë ku pretendonte se çuarja e tij në qeli mund të sillte pasoja të rënda për shëndetin e tij për shkak të një sëmundjeje që ai vuan prej kohësh.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Shpallja në kërkim ndërkombëtar e ish-numrit një të organit të akuzës, erdhi pas 15 ditësh kërkim në çdo cep të vendit, pasi blutë nuk mundën ta gjejnë.
Nga verifikimet e deri tanishme rezulton në sistemin TIMS se Adriatik Llalla është larguar nga vendi ynë rreth një muaj më parë. Burime jo zyrtare kanë bërë me dije se ai gjendet në Zvicër.
Më 22 Shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti fajtor Llallën për veprën penale të “fshehje së pasurisë”. Ai u dënua me 2 vite burg, ndërsa për 5 vite nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik. Po ashtu gjykata i konfiskoi 22 mijë metra katror truall dhe një apartament në Durrës.