Trajneri i Shqipërisë, Eduardo Reja, në një intervistë për “Tuttomercatoweb” dha opinionin e tij për futbollistët kuqezinj që luajnë në Serinë A. 72-vjeçari italian foli edhe për eliminatoret e “Euro 2020” dhe mundësitë që ka Shqipëria për t’u kualifikuar.
Forma e Hysajt: Tani për tani, Hysaj nuk është prekur nga mosaktivizimi te Napoli. Ai shënoi një gol të bukur kundër Islandës. Unë dua ta shfrytëzoj nga mesfusha e lart dhe Hysaj po dëshmon se është shumë i aftë edhe në këtë qasje taktike.
Rritja e Gjimshitit: E kam pasur lojtar edhe vite më parë, ai ishte një futbollist i mirë. Tani është më i pjekur, po bën më shumë se mirë tek Atalanta. Aty ka qenë gjithmonë një nga më të mirët. Pavarësisht nga vështirësitë mbrojtëse, Gjimshiti është gjithmonë mjaftueshëm në rolin e tij.
Fitorja kundër Islandës: Kualifikimi do të jetë i vështirë, do të varet shumë nga rezultati që do të marrim në Turqi. Ne duhet ta fitojmë këtë transfertë, plus ndeshjen tjetër kundër Moldavisë, gjithmonë larg shtëpisë, që të kemi shpresë. Përndryshe, bëhet e vështirë.
Turqia mundi Francën: “Atje është një fushë veçanërisht sfiduese. Pastaj, rezultati në futboll nuk dihet kurrë paraprakisht, e kemi parë këtë edhe në kampionatin italian. Futbolli mbart rezultate befasuese”.
Shqiptarët, të kënaqur me lojën: Grupi ynë nuk është i lehtë, Franca është mbi të tjerët. Islanda është gjithashtu një ekip i mirë, por e merituam fitoren e fundit ndaj saj. Ne po bëjmë një punë të mirë, kam ndryshuar shumë lojtarë, duke futur të tjerë, që dëshmuan se e meritonin më shumë. Ne po përparojmë, në Shqipëri thonë se kurrë nuk kanë parë të luajnë futboll si ky. Shpresoj se mund të bëjmë edhe më mirë.