Italia ka njoftuar ditën e sotme se 250 persona kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19 në 24 orët e fundit, sipas agjencisë vendore të mbrojtjes civile.
Në total numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali ka shkuar në 1266.
Shumica e viktimave kanë qenë mbi 80 vjeç dhe vuanin nga sëmundje të tjera. Numri i personave të prekur në Itali nga virusi COVID-19 është 14.955, një pjesë e të cilëve janë në kujdes intensiv, të tjerë të shtruar pa simptoma të rënda, dhe pjesa tjetër të vetëkarantinuar.
Autoritetet shëndetësore italiane bëjnë gjithashtu me dije se nga ky virus janë shëruar 1439 persona.
Ndërkohë, pandemia po përhapet frikshëm edhe në qytete të tjera të Europës.
Kjo rritje rekord ka zhvendosur epiqendrën e virusit në Europë.
Pak më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli se Europa është tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po shpallim gjendjen e jashtëzakonshme.
“Po raportohen më shumë raste tani në Europë sesa kur ishte kulmi i epidemisë në Kinë”, tha drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai tha se deri tani kanë vdekur 5 mijë persona duke e cilësuar si një “moment tragjik” teksa i bëri thirrje qeverive që të implementojnë masat për mbajtjen e popullsisë në distancë në mënyrë që të frenohet përhapja.
“Mos e lejoni zjarrin që të djegë” tha ai. “Izoloni të sëmurët”.