Sport Ndërpritet Bundesliga. Në Itali edhe 4 futbollistë të tjerë me koronavirus

Ndërpritet Bundesliga. Në Itali edhe 4 futbollistë të tjerë me koronavirus

Kampionati gjerman i futbollit është pezulluar nga sot, për shkak të alarmit nga koronavirusi.

Federata e Ligës Gjermane (DFL) njoftoi në rrjetet sociale se Bundesliga ndërpritet deri në datën 2 prill.

Fakti që Gjermania nuk kishte ndjekur shembullin e shumë kampionateve të tjera elitare kishte bërë që lojtarët të kritikonin ashpër DFL-në.

“Kjo është çmenduri. Ju lutem, mos bëni budallain dhe shikoni realitetin. Ka shumë gjëra më të rëndësishme sesa sporti”, shkruante Thiago Alcantara, mesfushori i Bayern Munchen, në Twitter ditën e sotme, përpara se të merrej vendimi i pezullimit.

Ndërkohë vijon përhapja e koronavirusit mes futbollistëve të Sampdorias.

Me anë të një komunikate për shtyp, klubi italian bëri me dije se përveç Manolo Gabbiadinit, dolën pozitivë në testin për koronavirus edhe Omar Colley, Albin Ekdal, Antonino La Gumina dhe Morten Thorsby.

Gjithashtu, i prekur me koronavirus është edhe mjeku i klubit, Amedeo Baldari.

Sampdoria bën me dije se të gjithë janë në gjendje të mirë dhe po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre në Gjenovë.