Fondi Sovran i Norvegjisë, i njohur edhe si Fondi i Naftës, arriti të premten në 10 trilionë krouna norvegjeze (1.09 trilion dollarë), duke vendosur një rekord historik. Rritja erdhi si rezultat i rritjes së stoqeve globale dhe forcimit të euros dhe dollarit.
I krijuar në vitet 1990 për të shfrytëzuar të ardhurat që vijnë nga nafta, Fondi Norvegjez është më i madhi i këtij lloji në botë.
“Kur fondi u krijua, askush nuk mendonte se do të kalonte 10,000 miliardë krouna. Ishim me fat që zbuluam naftë. Kthimi në investimet në tregjet globale financiare ka qenë aq i madh sa që mund të krahasohet sikur të kishim zbuluar naftë përsëri”, ka deklaruar Yngve Slyngstad, shef ekzekutiv i fondit, raporton Reuters.
Çdo norvegjez ka të paktën 200 mijë dollarë në këtë fond, çka përbën një pasuri të madhe për brezat e ardhshëm.
Shumica e parave të këtij fondi investohen në tregjet ndërkombëtare financiare dhe vetëm një pjesë e tyre investohet brenda Norvegjisë. Të ardhurat që i vijnë shteti nordik nga nafta derdhen te ky fond. Kjo i shërben vendit që në të ardhmen të ruajë aftësinë për të paguar nëse nafta do të pakësohet, ose nëse bien çmimet. Ai shërben edhe si rezervë për brezat e ardhshëm.
Një pjesë e fitimit shkon për investimet shtetërore ose për pensionet, pa qenë e nevojshme që të rriten taksat për qytetarët.