Bota Rënia e lindjeve, Kina redukton divorcet me 70% me anë të një...

Rënia e lindjeve, Kina redukton divorcet me 70% me anë të një ligji të posaçëm

Rënia e lindjeve në Kinë e ka detyruar qeverinë të hartojë strategji që nxit rritjen e popullsisë. Një ligj i miratuar kohët e fundit, duket se i ka dhënë rezultatet e para në këtë aspekt. I ashtuquajturi “ligji i ftohjes”, e ka reduktuar numrin e divorceve me 70% përgjatë muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tre muajve të parë të 2021-shit janë regjistruar 296 000 divorce, ndërsa 3-mujori i kaluar kishte 1.05 milionë të tilla. Një vit më parë, e njëjta periudhë e vitit kishte 1.06 milionë.

Numri i divorceve në Kinë ka ardhur në rritje vitet e fundit në Kinë. Ndërkohë, rënia e numrit të martesave është lidhur direkt me reduktimin e numrit të lindjeve, që nxisin krizën demografike të Kinës. Për t’iu kundërpërgjigjur kësaj tendence, qeveria promovon vlerat tradicionale familjare dhe martesën dhe ka shkurajuar divorcin. “Periudha e ftohjes” është pjesë e një kodi civil gjithëpërfshirës që hyri në fuqi në 1 janar, që mbulon ligjet përfshirë martesën, birësimin dhe pronësinë e pasurisë.

Ligji kërkon që çiftet që kërkojnë divorcin të presin reciprokisht 30 ditë para se ta zyrtarizojnë atë. Nëse çiftet nuk paraqiten për dy takime midis 30 dhe 60 ditësh pas aplikimit, aplikimi i tyre anulohet automatikisht. Periudha e ftohjes nuk zbatohet për divorcet që përfshijnë dhunë në familje.

Autoritetet shtetërore në Kinë e kanë mohuar rënien e popullsisë. Por pak javë më parë, londinezja “Financial Times” shkruante se popullsia e Kinës ka rënë nën 1.4 miliardë, rënia më e madhe në 50 vitet e fundit.