Stephen M. Walt – Harvard
Për aq sa mund të lexohet, strategjia e administratës Trump në Lindjen e Mesme, konsiston në përmbajtjen dhe përballjen me Iranin. Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, sekretari i Mbrojtjes James Mattis, ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley dhe vetë presidenti Donald Trump, kanë denoncuar të gjithë bashkë aktivitetet rajonale të Iranit (në shkurt pas testeve të Iranit me raketat balistike, Trump shkroi në Twitter se ky vend po luante me zjarrin.”
Në tetor, Shtëpia e Bardhë njoftoi synimi i politikës zyrtare të SHBA-së, ishte të “neutralizonte ndikimin destabilizues të Iranit dhe të kufizonte agresionin e tij.”
Trump dhe ndihmësit e tij, duket të kenë bërë të vetin idenë se Irani është potencialisht duke fituar hegjemoninë dhe dominuar Lindjen e Mesme – më konkretisht duke kontrolluar Gjirin e pasur Persik. Kjo logjikë ndihmon për t’i dhënë kuptim mbështetjes së pashpjeguar ndaj Arabisë Saudite, përfshirë miratimin e Trump (me heshtje apo eksplicit) të shkundjeve politike të brendshme që mbajnë firmën e princit të kurorës, Mohammed bin Salman dhe përpjekjet e tij për të ndërhyrë në politikën e brendshme libaneze.
Ajo shpjegon po ashtu refuzimin e Trump për të risiguruar në tetor marrëveshjen bërthamore me Iranin.
E megjithatë e gjithë ky izolim kundër Iranit nuk bën shumë sens sepse Irani nuk është aspak afër të qenit një vend hegjemon në rajon. Kjo dëshirë e politikanëve dhe ekspertëve për të përqafuar këtë fantazi alarmuese, thotë më shumë për natyrën e papërgjegjshme të diskursit strategjik të SHBA-së sesa për përmasën reale të sfidës që përfaqësohet tek Irani.
Iranit sot i mungon kapaciteti ushtarak që do të duhej për të dominuar vendet e shumta dhe të ndara të Lindjes së Mesme. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Irani ka një popullsi prej 83 milionë banorësh, në vitin 2016 PBB-ja e tij ishte më shumë se 400 miliardë dollarë dhe buxheti i mbrojtjes thuajse 16 miliardë dollarë. Në total, numri i trupave përfshirë ato të Gardës Islamike Revolucionare arrin në 520 mijë, një pjesë e të cilëve rekrutë të keqstërvitur.
Shumë prej njësive tankiste të tij, avionëve dhe sistemeve të tjera të mëdha të armatimit datojnë që nga koha e Shahut Mohammed Reza Pahlavi dhe janë në gjendje jo të mirë. Siç konkludonte analisti veteran i çështjeve të mbrojtjes, Anthony Cordesman në vitin 2010, “kapaciteti konvencional ushtarak i Iranit është shumë i kufizuar, bazuar kryesisht mbi armatim të vjetër dhe të cilësisë së ulët…Forcat e tij nuk janë të organizuara apo të stërvitura aq sa të imponojnë pushtetin e tij në Gjirin Persik.”
Në të kundërt të tij, Egjipti, Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një popullsi që shkon më shumë sesa 100 milionë dhe një PBB që në total për të gjitha shkon në më shumë se 1 trilionë dollarë – gati katërfishi i PBB-së së Iranit. Shpenzimi i tyre për mbrojtjen është të paktën pesë herë më i lartë sesa ai i Iranit. Këto shtete posedojnë disa prej armëve më të sofistikuara që mund të blihen, përfshirë tanke Abrams dhe avionë F-15. Po kështu Izraeli ka armë bërthamore. Në eventualitetin shumë pak të mundshëm që Irani i sulmon ato, ato mund të shpresojnë po ashtu në mbështetjen e forcës së SHBA-së, duke patur parasysh forcat shumë më të fuqishme të disponueshme kundër Iranit, të shpallësh se ky i fundit është në prag të hegjemonisë rajonale, sfidon logjikën.
Kur vihen përballë këtyre të dhënave, kundërshtarët e Iranit në mënyrë tipike paralajmërojnë se ai po përdor aktorë locale për të përhapur ndikimin e tij dhe të sundojë rajonin.
Nuk ka asnjë dyshim se Irani ka mbështetur një numër aktorësh lokalë në vitet e fundit, përfshirë Hezbollahun në Liban, presidentit sirian Bashar al-Assad, milici të ndryshme në Irak dhe në një masë më të vogël, grupin Houthis në Jemen. Këto lëvizje kanë përmirësuar disi fuqinë e Iranit – por kryesisht sepse ai ka qenë i aftë të përfitojë nga disfatat e kundërshtarëve, si p.sh nga vendimi i administratës amerikane të George Bush për të rrëzuar Saddam Hussein. Por këto avantazhe gjithsesi e mbajnë Teheranin larg të qenit aktor dominues në rajon.
Së pari, Irani i kontrollon këto grupe jo më shumë sesa SHBA kontrollon klientët e saj në Lindjen e Mesme. Secili prej këtyre aktorëve ka interesat e veta dhe aleatët e tanishëm të Teheranit nuk do të ndjekin verbërisht urdhrat e tij deri në pikën sa të vënë në rrezik pozicionet e tyre. Ta shohësh këtë bashkëpunim si një perandori të re perse, sikurse bëjnë Henry Kissinger dhe Max Boot, është për të qeshur.
Më tej akoma, shumë nga partnerët kryesorë të Iranit janë zbythur ndjeshëm vitet e fundit, duke e detyruar atë që të shpenzojë më shumë nga burimet e veta për t’i mbështetur. Mbështetja nga Garda Islamike Revolucionare ndihmoi Assadin të qëndronte në pushtet, p.sh, por Siria është tani një shtet i shkatërruar dhe si pasojë, jo ndonjë aleat kushedi se çfarë. Larg nga synimi për krijimin e një perandorie të fuqishme iraniane në rritje dhe përherë ne ekspansion, mbështetja e Teheranit për këto grupe të ndryshme ka boshatisur arkat e tij dhe ka nxitur rreshtimin në një vijë të Izraelit dhe vendeve arabe të Gjirit, duke minuar kështu pozitën e tij të përgjithshme.
Pikëpamjet alarmist rreth ambicieve iraniane injorojnë po ashtu pengesa të tjera domethënëse që vendi do të haste në do të arrinte të dominonte rajonin.
Popullsia iraniane është në masën më të madhe shiite, por myslimanët sunitë janë shumë më tepër në numër dhe kontrollojnë vendet e tjera të rëndësishme të rajonit. Hyrja në luftë me vendet me shumicë sunite e tehllon ndarjen mes dy degëve kryesore të Islamit dhe e bën më të vështirë për Teheranin që të fitojë ndikim ndaj fqinjëve të tij. Irani është po ashtu në masë të madhe i përbërë nga persë etnikë dhe jo arabë dhe asnjë vend arab nuk do të mbështeste suzerentitetin pers mbi rajon.
Skifterët iranianë, përfshirë gjeneralë në rrethin e ngushtë të Trump, kujtojnë rolin e Iranit në mbështetjen e kryengritjeve në Irak që çuan në vdekjen e ushtarëve amerikanë. Zemërimi i tyre është i kuptueshëm. Por kështu ishte edhe sjellja e Iranit. Gjatë 20 vjetëve të shkuara, Uashingtoni imponoi sanksione ndëshkuese ekonomike ndaj Iranit, e sulmoi atë me armë kibernetike dhe financoi grupe opozitare kundër regjimit të Teheranit. Kur SHBA-të rrëzuan Saddam Husseinin në vitin 2003, neokonservatorët brenda dhe jashtë administratës Bush e bënë të qartë se radhën e kishin ajatollahët. Nën këto rrethana, Irani ishte i detyruar të bënte çdo gjë për ta parandaluar arritjen e këtij objektivi. Me të vërtetë prisnim që liderët iranianë të qëndronin pasiv ndërkohë që vendi më i fuqishëm në botë përgatitej t’i hidhte nga pushteti?!
Për fat të mirë, asnjë shtet brenda apo jashtë Lindjes së Mesme nuk ishte atëherë dhe nuk është as sot në pozitat që ta kontrollojë rajonin. Si rezultat, SHBA nuk duhet të bëjnë shumë për të ruajtur balancën rajonale të fuqisë. Në vend se t’i japin Arabisë Saudite apo Izraelit mbështetje të pakushtëzuar për të kundërshtuar një hegjemoni mitologjike iraniane, Uashingtoni duhet të kërkojë marrëdhënie më të balancuara me të gjitha shtetet në rajon, përfshirë Iranin.
Kjo qasje më neutral mund të ndihmonte bashkëpunimin mbi çështjet ku interesat e SHBA dhe Iranit përputhen, si p.sh Afganistani. Perspektiva e marrëdhënieve më të mira mes SHBA, do të ndikonte në moderimin e Teheranit. Përpjekjet e shkuara të SHBA-së për të izoluar regjimin klerikal e inkurajuan këtë të fundit që të luante rolin e agresorit dhe me një farë suksesi.
Kjo qasje do të dekurajonte po ashtu aleatët e tanishëm të SHBA-së që të konsiderojnë si të mirëqenë duke i inkurajuar që të bëjnë më shumë për ta ruajnë atë. Aleatët aktualë të Amerikës në rajon(dhe lobet e tyre të brendshme) patjetër që do të protestojnë vendosmërisht nëse Uashingtoni do të ndalte mbështetjen për ta deri në fund dhe nëse do të arrinte qoftë edhe një detantë modeste me Iranin. Por ky është në fund të fundit problemi i tyre, jo i Amerikës. Një mbështetje e ekzagjeruar e SHBA do të inkurajonte aleatët e saj të silleshin në mënyrë të shkujdesur si bën Izraeli kur zgjeron vendbanimet ilegale dhe siç bën Arabia Saudite me fushatën ushtarake në Jemen, me zënkën diplomatike me Katarin dhe përpjekjen kuturu për të ristrukturuar politikën libaneze.
Të luash politikën e balancës së fuqisë në Lindjen e Mesme nuk kërkon që Uashingtoni të braktisë aleatët aktualë tërësisht apo të anojë nga Teherani. Kjo do të thotë më tepër që të përdoret fuqia e SHBA-së për të mbajtur një balancë të vështirë, të shkurajojë përpjekje të hapura për ndryshimin e statusquosë dhe të parandalojë ndonjë shtet nga dominimi i rajonit ndërkohë që ndihmon fuqitë lokale të sheshojnë dallimet mes tyre. Ulja e temperaturës në këtë mënyrë do të siguronte aksesin në burimet e naftës, do të zbuste dëshirën për armë të shkatërrimit në masë dhe do t’u jepte këtyre shteteve një arsye më pak për të financuar ekstremistët dhe ushtarë të tjerë në rajon.
Një fushatë kundër hegjemonisë iraniane është në fund të fundit e panevojshme. Për fat të keq, ka shumë pak arsye për të menduar se administrate Trump do ta njohë këtë realitet dhe do të adoptojë një kursin e arsyeshëm të parashtruar këtu. Nëse nuk e bën, politika e Trumpit në Lindjen e Mesme do të jetë po aq e suksesshme sa ajo e Bill Klinton, Bushit dhe Barak Obamës. Që do të thotë se do të jetë një tjetër dështim i kushtueshëm.
The Islamic Republic of Hysteria
Përkthimi me shkurtime: ResPublica