Aktualitet Reshjet e borës, bllokim rrugësh në disa zona

Reshjet e borës, bllokim rrugësh në disa zona

Reshjet e dëborës e të shiut, si dhe temperaturat e ulëta janë rikthyer këtë fundjavë në Shqipëri. Reshjet e dëborës përfshinë qarqet veriore dhe juglindore të vendit, te shoqëruara dhe me erëra të forta.

Trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës arrin 15 centimetra, ndërsa në zonat më të thella malore varion nga 15-20 centimetra. Erë të fortë ka pasur në Ura e Zapodit-Shishtavec në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, Klos, Peshkopi, Bajram Curri-Fierzë.

Në Rrugën e Kombit problem lëvizja e makinave në segmentin Orosh-Kalimash. Reshjet e shumta te dëborës kane bllokuar aksin rrugor bypass Qafë Murrizë në rrugën e Arbrit. Borëpastrueset po punojnë për hapjen e aksit dhe lëvizja e mjeteve në drejtim të Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Shkopet.

Në qarkun e Shkodrës janë të bllokuara rrugët Bogë-Qafë Thore dhe Fushë Arrëz- Iballë. Në akset e tjera rrugore kalimi i mjeteve bëhet vetëm me anë të zinxhirëve. Në Bashkinë Mirditë trashësia borës arrin deri në 15 centimetër.

Era e fortë dhe stuhitë në Lezhë po vështirësojnë qarkullimin e makinave. Në urën e Milotit era rrezikoi përmbysjen e një kamioni ndërsa dëmtoi pjesë të tij.

Reshjet e borës ranë dhe në juglindje, si në Qafë Thanë dhe Pogradec. Nga bora nuk ka probleme për lëvizjen e mjeteve në akset nacionale. Në zonat e tjera të qarkut po bie shi me intensitet mesatar.

Autoriteti Rrugor njofton se makinat borëpastruese janë në terren për të mundësuar kalimin pa probleme te automjeteve. Në Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi për të koordinuar punën dhe për të menaxhuar informacionet që sigurohen nga të gjitha zonat e vendit.

Forcat Kombëtare të Sigurisë, së bashku me grupet e evakuim -shpëtimit dhe Policinë Alpine që janë pjesë e kësaj force, janë në gatishmëri për t’iu dhënë ndihmë qytetarëve, në rast nevoje.