Kulturë Restaurimi i një Kurani 100-vjeçar në Shqipëri

Restaurimi i një Kurani 100-vjeçar në Shqipëri

Drejtoria e Arkivave ka njoftuar procesin e restaurimit të një Kurani 100-vjeçar, pa dhënë detaje mbi pronësinë e Librit të Shenjtë.

“Restaurimi i librave të shenjtë meriton një përkujdesje të përveçme. Në një ‘sallë operimi’, siç edhe është pagëzuar Laboratori Qendror i Restaurimit, i vetmi në rang vendi, ky Kuran shekullor i është nënshtruar një procesi të mirëfilltë trajtimi, të krahasueshëm me kirurgjinë.

Dorashka, maska dhe pajime metalike, janë takëmet bazë të Laboratorit, ku botimi i sjellë nga zotëruesi ka kaluar në një seri etapash, sikurse janë: dezinfektimi, pastrimi me gomat pluhur, larja ne vaska, deacafikimi në vaska, pastrimi nga mbishtresat, riintegrimi i pjesëve të humbura me letër japoneze, restaurimi i kapakut, qepja e fletëve dhe lidhja e fletëve me kapakun. Ky proces pune është finalizuar me dorëzimin e Kuranit të rijetësuar tek zotëruesi”, thotë Drejtoria e Arkivave.