“Gilead Sciences” raportoi këtë të mërkurë se rezultatet paraprake të një testimi për një ilaç që lufton koronavirusin, treguan se të paktën 50 përqind e pacientëve të trajtuar me një dozë 5-ditore të ilaçit antiviral remdesivir, paraqitën përmirësime dhe më shumë se gjysma e tyre u larguan nga spitali.
Kompania gjithashtu tha se një testim tjetër i Institutit Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive rezultoi pozitiv. Megjithatë, nuk shtoi detaje të tjera.
Në provën klinike morën pjesë 397 pacientë me simptoma të rënda të COVID-19.
Studimi gjurmoi dy grupe pacientësh të shtruar në spital. Njëri prej tyre mori mjekimin me remesdivir për pesë ditë, ndërsa grupi tjetër e mori mjekimin për 10 ditë. Studiuesit thanë se më shumë se gjysma e pacientëve në të dy grupet u larguan nga spitali brenda 14 ditëve. Ata gjithashtu shtuan se nga grupi i parë, 64.5 përqind e pacientëve u larguan nga spitali krahasuar me grupin e dytë, ku u larguan 53.8 përqind e tyre.
“Këto të dhëna janë inkurajuese pasi tregojnë se pacientët që morën mjekimin më të shkurtër me remesdivir, kishin përmirësime të ngjashme me ata që u mjekuan për 10 ditë”, tha Aruna Subramanian, një nga studiueset kryesore të këtij testimi.
Deri më tani nuk ka asnjë mjekim të konfirmuar për COVID-19, virusi që ka prekur më shumë se 3 milionë persona në të gjithë botën dhe ka sjellë të paktën 217,569 vdekje. Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, zyrtarët e mjekësisë në SHBA thonë se krijimi i një vaksine për të parandaluar infektimin nga koronavirusi mund të kërkojë të paktën 12 deri në 18 muaj, duke e shtuar kështu nevojën për zbulimin e një ilaçi efektiv.
Remesdivir ka rezultuar pozitiv edhe në mjekimin e SARS dhe MERS, të cilët janë gjithashtu të shkaktuar nga koronaviruset ndërsa disa autoritete të shëndetësisë në SHBA, Kinë, dhe pjesë të tjera të botës janë duke përdorur këtë ilaç në trajtimin e COVID-19.