Aktualitet Arrestohet në Tiranë 24-vjeçari nga Taxhikistani, kërkohej për terrorizëm

Arrestohet në Tiranë 24-vjeçari nga Taxhikistani, kërkohej për terrorizëm

Forcat shqiptare të Antiterrorit kanë arrestuar në Tiranë një 24-vjeçar me iniciale K.Z. nga Taxhikistani.

Ky i fundit është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për terrorizëm.

Gjykata Federale në Karlsruhe ka lëshuar ndaj tij urdhrin e arrestit ndërkombëtar më datë 21 Prill për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të ISIS.

I riu nga Taxhikistani u vu në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Vizitori”.

Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetas të huaj.