Gjykata e Apelit të Tiranës do të vendosë në 18 mars nëse do të pranojë apo jo kërkesën e Izet Haxhisë për riçeljen edhe një herë të shqyrtimit gjyqësor për dosjen “Hajdari”.
Dosja po shqyrtohet nga treshja e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda Dhimitër Lara, Ndue Dreni dhe Sokol Binaj pas dorëheqjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Haxhia dhe avokati i tij ripërsëritën kërkesën se duan të gjykohen nga gjyqtarë që kanë kaluar vettingun.
Brenda seancës, Haxhia dhe avokati i tij thanë se kërkojnë rihapjen e çështjes pasi ata nuk janë dëgjuar në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit dhe vendimi është dhënë në mungesë të tyre.
Izet Haxhia është një nga fajtorët e shpallur nga gjykata si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit dhe është dënuar më 25 vite burg nga gjykata.
Pas ekstradimit nga Turqia disa muaj më parë, ai ka kërkuar rihapjen e çështjes.