Kulturë Rikthimi i “Gladiatorit”

Rikthimi i “Gladiatorit”

Regjisori i famshëm, Sir Ridley Scott, po punon për të realizuar një film të dytë “Gladiator”. Lajmin e zbulon një prej producentëve të filmit ikonë të kinematografisë, realizuar në vitin 2000.

Doug Wick tha për “ComicBook.com” se regjisori po përpiqet të realizojë një pjesë të dytë të filmit, por po has vështirësi pasi askush nuk dëshiron të bëjë një seri tjetër që të mos përmbushë pritshmëritë e një prodhimi të tillë.

“Ai do të donte shumë që ta realizonte. Të gjithë ata që janë përfshirë në realizimin e filmit të parë e duan shumë dhe nuk duan që të bëjnë një kopje të shëmtuar”, tha Wick. “Është një problem krijimtarie, po punohet mbi skenarin dhe nëse arrijmë aty ku duam do ta vazhdojmë projektin”. 

Edhe më parë ka pasur zëra për një vazhdim të filmit, edhe pse protagonisti Maximus Decimus Meridius, i luajtur nga Russell Crowe, ka vdekur. Vitin e kaluar, dy producentë të tjerë thanë se një seri e dytë do të zhvillohej 25-30 vite pas origjinalit.

“Gladiatori” ishte një sukses i kinematografisë, me 11 emërime për Çmimet Oscar, 5 prej të cilave i fitoi, mes tyre çmimin si filmi më i mirë dhe aktori më i mirë protagonist për Crowe.