Opinione “Rilindja”, premtime që u bënë… gënjeshtra

“Rilindja”, premtime që u bënë… gënjeshtra

Nga Leonard Karaj 

Nëse vijimësia e një qeverisjeje do të matej nga premtimet që ajo ka bërë përpara elektoratit, atëherë asnjë koalicion apo parti nuk do të mund të qëndronte në pushtet më shumë sesa një mandat.

Madje, në vende NORMALE dhe demokratike (kuptohet jo si Shqipëria), nuk do ta kishin mbyllur dot as mandatin e plotë. Pasi zor se këta të fundit do të duronin të gënjeheshin ditën për diell dhe më pas të lejonin që të qeveriseshin nga politikanë “pinokë”. Tjetër hesap në Shqipëri. Një politikan, kandidat për kryeministër, mund të thotë të pavërteta me okë, të mashtrojë, të manipulojë, të tjetërsojë, madje edhe vetveten sipas rastit, dhe publiku të mos kuptojë ose, më e keqja, të bëjë sikur nuk ka kuptuar asgjë.

E ka bërë një gjë të tillë Berisha. E ka bërë Nano kur i është dashur. Por kampion i premtim-gënjeshtrave mbetet Edi Rama. Askush në këto 29 vite demokraci nuk ka premtuar kaq shumë dhe më pas i kanë rezultuar si “flluska sapuni”, sa Ramës.

Dhe pa iu futur premtimeve boshe kur kandidonte për kreun e Bashkisë Tiranë, nëse marrim vetëm për bazë premtimet elektorale të vitit 2013 dhe 2015, (pasi në 2017-n dhe 2019-n, si rrallëherë “Rilindja” e mori mandatin pa u lodhur që të premtojë asgjë), do të vërejmë një distancë të jashtëzakonshme mes asaj që u tha dhe asaj që u bë.

Taksa dhe varfëri 

“Do të ul taksat për 95% të shqiptarëve dhe të varfrit do të paguajnë më pak, sepse marrin pak dhe të pasurit do të paguajnë më shumë”. Për të vërtetuar një gjë të tillë nuk të duhen statistika dhe sondazhe.

Mjafton të dalësh në rrugë dhe të pyesësh qytetarët: kur kishit më shumë lekë në xhep, përpara apo pas 2013-s (?!). Sot, si të ashtuquajturit të pasur, ashtu dhe të varfrit paguajnë më shumë sesa dje.

Por më keq akoma, ajo çka ka ndodhur gjatë këtyre viteve të qeverisjes së “Rilindjes” është minimizimi, zerimi, zhdukja e shtresës së mesme të popullsisë, asaj që i janë shtuar një karvan i gjatë taksash të reja gjatë viteve të fundit.

Pas 2013-s është rritur tatimi mbi qiranë, mbi pasuritë e paluajtshme dhe dividenti, nga 10 në 15%. U rrit akciza e duhanit dhe pijeve alkoolike. U rrit taksa e qarkullimit me 10 lekë për litër karburant, duke bërë që shqiptarët të paguanin më shumë se 16 miliardë lekë më shumë sesa gjatë kohës së qeverisjes Berisha.

Janë rritur taksat mbi kontributet dhe tatimi mbi të ardhurat, si dhe u rrit taksa mbi truallin nga 10-15%. Në 2017-n u rrit çmimi i gazit të lëngët, për shkak të vendosjes së akcizës dhe u futën me detyrim në skemën e TVSH-së, gjoja për të luftuar korrupsionin mbi 70 mijë biznese të vogla. Sakaq, e çuditshme, që pikërisht këtë gjë qeveria kërkon ta zhbëjë duke filluar nga janari 2021, por akoma askush nuk ka dalë të thotë se kush mban përgjegjësi për vendosjen e kësaj barre fiskale tri vite më parë.

“Do të heqim taksën 20% për bukën, qumështin, vezën, miellin, vajin, sheqerin, dhe orizin”. – Ky ishte premtimi i Ramës në 2013-n. Sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe TVSH-ja e ushqimeve është sërish 20% dhe askush nuk ka shans që ta mohojë një gjë të tillë.

“Zotohemi se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Shqipëria e pas katër viteve nga sot, do të jetë hapësira e punësimit real”. Kujtoni pak se vetëm në kryeqytet në 2015-n, në gjoja aksionin kundër informalitetit, sipas Drejtorisë së Tatimeve, u mbyllën 40 mijë vende pune.

Ndërsa në gjithë vendin kjo shifër shkoi më shumë se 80 mijë. Për të mos harruar këtu që nga 2013-a deri më sot janë larguar nga vendi mbi 300 mijë shqiptarë. Dhe më e keqja, nuk kemi më një emigrim të vetëm atij rangu qytetar i cili nuk ka një zanat, por kanë ikur nga sytë këmbët, inxhinierë, mjekë, infermierë, dentistë etj. Shqiptarët deri para 1 viti ishin populli azilkërkues numër 1 mes evropianëve. Madje, deri para pak kohësh, Holanda kërkoi që Shqipërisë t’i rivihej regjimi i vizave, pikërisht për shkak të fluksit të azilkërkuesve.

“Do të bëjmë transformim në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown Agents). Britanikët do të na asistojë që në ditët e para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë evropiane”. Butafori, qesëndi dhe zgërdhirje pa kufi.

Po, pasi të gjithë e dimë tashmë se Agjentët e Kurorës nuk bënë gjë tjetër veçse morën rreth 20 milionë euro nga qeveria e Ramës dhe, natyrisht, mblodhën shumë më pak të ardhura doganore sesa mblidheshin përpara 2013-s. Vetëm nga taksat e pambledhura buxhetit i mungonin për mandatin e parë qeverisës më shumë se 900 milionë dollarë.

Për të mos harruar edhe faktin se nga 69% (e deklaruar nga Rilindja), sot borxhi publik i deklaruar është 81% (por, sipas ekspertëve, nëse futen si borxh edhe PPP-të e famshme, atëherë kjo shifër shkon përtej 93%). Pra, sot për sot, çdo shqiptar për 100, 81 lekë i ka borxh, kjo falë Edi Ramës.

Shëndetësi dhe koncesione 

“Do t’i zhbëjmë ato koncesione që kanë cenuar të drejtat në mënyrë korruptive”. Sot e kësaj dite, Rama nuk ka anuluar asnjë nga koncesionet e firmosura nga qeveria Berisha, të tilla si: Markimi i karburanteve, Rapiscan, HEC-et mbi Valbonë dhe Vjosë, si dhe vendburimet e naftës, të cilat dëmtojnë direkt interesin e qytetarëve. Madje, HEC-et mbi Valbonë janë tashmë në përfundim e sipër dhe Rama as që u merakos për to, edhe kur në mbrojtje dolën një sërë organizatash të huaja, si dhe turistë dhe dashamirës të huaj të vendit tonë.

“Betohemi që për të gjithë familjarët, taksën e energjisë do ta ulim në 6%, për familjarët”. Sot dhe gjithë ditë-natën taksa e energjisë për familjet është 20%, duke njohur madje edhe rritje të çmimit të energjisë. Sipas raportit të ERE-s, nga 2015 e më tej, pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë paguar mesatarisht 11,4 lekë për energjinë elektrike nga 9,24 që paguanin në 2013-n.

“Uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale. Në mbylljen e mandatit (2013-2017), do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi”. Sot jo vetëm fshatra, por edhe qytete, fut këtu edhe kryeqytetin, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe jo më të ujit për vaditje. Premtimi se e gjithë Shqipëria do ketë ujë 24/24 orë brenda mandatit të parë 4-vjeçar, mbetet një nga gënjeshtrat më të mëdha të Edi Ramës. Madje, edhe në fshatin Surrel, ku jeton sot kryeministri i vendit, zor se gjen ujë në të gjitha çezmat e shtëpive të zonës. Për të mos harruar as faktin se uji, të paktën që nga koha kur në krye të Tiranës erdhi Veliaj, paguhet të paktën 20-fish më shumë sesa më parë.

Për të vijuar me një perlë tjetër, “Shëndetësia falas”. Çdo shqiptar e di, e prek dhe përcjell çdo ditë këtë super-gënjeshtër, e cila u pa me të drejtë me nihilizëm asokohe, kur u deklarua nga Rama dhe mbeti po e tillë edhe sot, pas 7 vitesh. Ah, po. Është dikush që ka përfituar fuqishëm nga kjo shëndetësi: dhe ata janë oligarkët e farmaceutikës dhe të PPP-ve qindramilionëshe. “Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike. Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh m’u tek sheshi i spitalit.” – tha Rama në 2013-n. Por, as në 2017-ën dhe me shumë gjasa as në 2021-in nuk do të ketë debat mbi termat “u bë, nuk u bë”, pasi “shëndetësi falas” zor se e beson edhe ai që e thotë.

Rrugë dhe drejtësi 

Nëse Berisha kishte si synim të asfaltonte sa më shumë rrugë, urbane dhe jo vetëm, Rama premtoi se përveç këtyre do t’u kthente “fytyrën” e vërtetë, sipas tij, qendrave të qyteteve. Fakt është se në pjesën më të madhe të qyteteve ky lloj urbanizimi ka qenë totalisht pa sens dhe me kosto të jashtëzakonshme krahasuar me punë ndërtimore të mëparshme.

Ndërkohë që, hiq bypass-in e Fierit dhe rrugën Lin-Pogradec, të gjitha segmentet e tjera ose nuk kanë nisur ende, ose janë dhënë me PPP, me çmime stratosferike. Madje, edhe Banka Botërore dhe FMN-ja, në disa raste kanë ngritur zërin duke kërkuar transparencë nga qeveria për lidhjen e të tilla kontratave.

Dhe për të përfunduar tek togfjalëshi: “Ne bëjmë shtet”! Reforma më zhurmëmadhe, e mbështetur fuqishëm edhe nga faktori ndërkombëtar, ajo në drejtësi, rezulton të jetë gangrena e këtij shteti. Pa Gjykatë Kushtetuese. Pa Gjykatë të Lartë. Me gjykata dhe prokurori nën presion të vazhdueshëm nga politika, për shkak të vetingut dhe me një mal me dosje nëpër arkiva.

Asnjë vend tjetër, ndoshta në botë (në Evropë as që bëhet fjalë) nuk gjendet nën këtë amulli. Dhe përfituesi i vetëm në këtë rast ka qenë qeveria, e cila në mungesë të të tilla institucioneve ka shtuar zullumin e vet në të gjitha fushat. Mjafton të përmendësh raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për 2019-n, i cili tregonte për 260 milionë euro shpërdorime nga ana e administratës shtetërore dhe vendore dhe askush nuk lëvizi as gishtin e vogël për të nisur qoftë edhe një hetim kryesisht.

Mjafton të vëresh se sot shkon në burg vetëm se nuk ke patentë me vete, por del për kokërr të qejfit nga “Blloku” dhe nuk të hyn gjemb në këmbë, edhe pse ke falsifikuar firmën e sekretarit të Shtetit amerikan, si në rastin e DH Albania-s.

Sot ke shansin të bëhesh unikal në gjithë historinë botërore të modernizimit, pasi vetëm në Shqipëri ndryshon ligjin themeltar të shtetit, pa pasur as opozitë aktive/reale dhe më keq akoma, pa pasur fare Gjykatë Kushtetuese. Ky është shteti i së drejtës, premtim utopik, ashtu sikundër edhe premtimet e tjera të pambajtura nga “Rilindja”.

Premtim-gënjeshtrat e “Rilindjes” 

1-Ulja e taksave për 95% të shqiptarëve.

2-Krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e parë qeverisës.

3-Ulja e çmimit të produkteve bazë të shportës.

4-Ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit.

5-Shëndetësi falas.

6-Reformë dhe rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet.

7-Heqja e taksës së naftës dhe subvencione për bujqësinë.

8-Anulimi i koncesioneve të qeverisë “Berisha”.

9-Rrugë dhe urbanizim.

10-Reforma në ndërtim të shtetit të së drejtës.