Bota Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas, viktima të një tentative helmimi

Roman Abramovich dhe negociatorët ukrainas, viktima të një tentative helmimi

Roman Abramovich dhe disa negociatorë rusë kanë pasur simptoma helmimi sipas Wall Street Journal.

Sipas asaj që informon Wall Street Journal, ish-pronari i Chelseat ka vuajtur së bashki me disa negociatorë ukrainas nga simptoma të dyshuara helmimi pas një takimi në Kiev në fillim të muajit.

Sipas burimeve të WSJ, sulmi i dyshuar mund të jetë bërë nga disa njerëz në Moskë që donin të sabotonin negociatat për dhënien fund të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Mes simptomave që patën Abramovich dhe negociatorët e tjerë pas takimit në fillim të muajit në Kiev, gjithnjë sipas Wall Street Journal, ishin “sytë e kuq, irritim të lëkurës së syve dhe duarve”.

Ndërsa “The Guardian” shkruan miliarderi u shtrua në një spital në Turqi për t’u kuruar. Përveç tij, edhe dy persona të tjerë që morën pjesë në bisedimet për paqe më 3 mars pësuan simptoma të ngjashme. Sipas tyre, këto janë simptoma që vijnë si pasojë e helmimit me armë kimike.

Të tre personat, mes të cilëve një tjetër sipërmarrës rus dhe deputeti ukrainas Rustem Umerov, kishin konsumuar vetëm çokollatë dhe ujë disa orë para se t’i shfaqeshin simptomat. Një person i katërt që kishte konsumuar të njëjtat produkte nuk shfaqi asnjë simptomë.

Ndërkohë, sipas asaj që shkruan BBC, ata patën skuqe të syve, lot të vazhdueshëm dhe me dhimbje dhe rrjepje të lëkurës në fytyrë dhe duar. Megjithatë mësohet se tanimë simptomat janë përmirësuar dhe personat në fjalë nuk janë në rrezik për jetën.

Një person i afërt me Abramovich tha se nuk ishte e qartë se kush kishte shënjestruar grupin dhe se ekspertët perëndimorë që u morën me incidentin në fjalë thanë se ishte e vështirë të përcaktohej nëse simptomat ishin shkaktuar nga një agjent kimik ose biologjik ose nga një lloj rrezatimi elektromagnetik.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili është takuar me Abramovich, nuk u prek.