Cristiano Ronaldo mbetet një nga sportistët më elitarë në glob, që fiton edhe më shumë para. Ylli i Juventusit, edhe pse 34 vjeç, ruan dominimin në fushën e blertë, në çmimet e fituara, por edhe në rrjetet sociale, si më i ndjekuri. Për pasojë, edhe të ardhurat në këtë drejtim janë shumë të konsiderueshme për portugezin. Një studim i fundit i “Buzz Bingo”, që ka analizuar përfitimet financiare nga postimet e 12 muajve të fundit të personazheve të njohura në Instagram, tregon se futbollistët fitojnë më shumë para në rrjetet sociale. “Mbreti” i Instagram-it mbetet Cristiano Ronaldo, që me 975 mijë dollarë për një postim, i ka shtuar llogarisë së tij plot 47.8 milionë dollarë në një vit.
Pothuajse gjysmën e këtyre të ardhurave përfiton Lionel Messi, që pozicionohet i dyti (23.3 milionë dollarë). Argjentinasi, për një postim të sponsorizuar fiton 648 mijë dollarë. Në “top 10” e përfituesve më të mëdhenj nga rrjetet sociale (Instagram) dominojnë futbollistët, përfshirë këtu Ibrahimovic, Neymar dhe Ronaldinho, por nuk mungojnë as yje të fushave të tjera, si Kendall Jenner, Selelna Gomez, Kylie Jenner apo Khloe Kardashian.