Sport Ronaldo hyn zyrtarisht në “Guinnes”: Gati për numra më të lartë

Ronaldo hyn zyrtarisht në “Guinnes”: Gati për numra më të lartë

Cristiano Ronaldo konfirmohet si njeriu i rekordeve dhe hyn në historinë e futbollit për të disatën herë. Portugezi, me 2 golat e shënuar kundër Irlandës, ka arritur kuotën e 111 golave me kombëtaren, duke kaluar kështu rekordin e 109 golave të iranianit Ali Daei.

Një rekord i njohur tashmë zyrtarisht edhe nga “Guinnes World Record”, siç tregon edhe vetë lojtari me anë të një postimi në profilin e tij në Instagram: “Faleminderit “Guinness”-it! Është gjithmonë bukur të njihesh si mbajtës rekordesh botërore. Le të provojmë për numra më të lartë”, – shkruan Ronaldo.

Ditët e fundit portugezi shprehu kënaqësinë për rekordin e arritur me një mesazh të bukur: “Nga të gjithë rekordet që kam arritur në karrierë, për mua ky është vërtet special, një rekord për të cilin do të jenë gjithmonë krenar. Para së gjithash, për mua është diçka speciale të përfaqësoj vendin tim. E di që po mbroj Portugalinë, duke i treguar botës se çfarë mund të bëjmë ne portugezët.

Pastaj për impaktin që kompeticionet e kombëtareve kanë pasur tek unë, duke u rritur, kur shihja idhujt e mi në Botërorë dhe Europianë me fanellat e vendeve të tyre. Të shënoj 111 gola për Portugalinë do të thotë se kam përjetuar 111 momente si ky në ndeshjen e fundit. Momente uniteti dhe lumturie për miliona e miliona portugezë në gjithë botën”.