Përballja në “Juventus Stadium” mes Juves dhe Lazios ishte historike. Cristiano Ronaldo (realizoi dygolësh) dhe Ciro Immobile, dy sulmuesit më rezultativë në Serinë A prekën kuotën e 30 golave, diçka që nuk ndodhte në elitën e futbollit italian që nga sezoni 1950-1951.
Të fundit që ia kishin dalë njëkohësisht para kësaj dysheje rezultojnë të jenë milanisti Nordahl (34 gola) dhe interisti Nyers (31 gola). Sulmuesi bardhekaltër dhe ai bardhezi kanë ende shumë uri për të tundur rrjetën, sepse duan të fitojnë garën e golashënuesit më të mirë të Serisë A dhe jo vetëm.
Në fakt, në horizont është një objektiv edhe më i rëndësishëm individual: Këpuca e Artë e Europës. Në krye të këtij klasifikimi, që kurorëzon në fund të çdo edicioni “bomberin” e Europës, është, për momentin, Robert Lewandowski me 34 gola. Mirëpo sulmuesi i Bayernit ka marrë pushimet, pra nuk ka më ndeshje në dispozicion, pasi Bundesliga është mbyllur prej kohësh. Polaku ka grumbulluar 68 pikë, Immobile dhe Ronaldo ndjekin me nga 60 pikë, por do të luajnë edhe katër takime për ta barazuar apo parakaluar Lewandowskin.
Sfida është e hapur, por dyshja Immobile-CR7 mund të synojë edhe rekordin e Higuainit: 37 gola në Serinë A brenda një sezoni, kur luante me Napolin. Për dy “bomberët” e Serisa A asgjë nuk është e pamundur.