Cristiano Ronaldo ka pak rekorde, që i rezistojnë ende në botën e futbollit. Portugezi ka fituar një Kampionat Europian, pesë Champions, pesë “Topa të Artë”, tre “The Best FIFA”, katër “Këpuca të Arta”… Një listë e pafundme e çmimeve individuale dhe kolektive. Për më tepër, është golashënuesi më i mirë në historinë e Champions-it dhe Real Madridit.
Përkundër të gjitha këtyre arritjeve, Cristiano Ronaldo është duke u përpjekur të bëhet golashënuesi më i mirë në Serie A. Nëse e arrin këtë sukses, ai do të bëhej futbollisti i vetëm, që ka arritur të fitojë “Këpucën e Artë” (golashënuesi më i mirë) në të paktën një sezon në La Liga, Premier League dhe Serie A. Këtë rekord që pretendon portugezi nuk e ka arritur asnjë futbollist ndonjëherë. Vetëm Ruud Van Nistelrooy dhe futbollisti i Barcelonës, Luis Suárez, e kanë arritur një rekord të ngjashëm, edhe pse jo në tri nga pesë ligat kryesore europiane (Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca).
Më konkretisht, Van Nistelrooy ishte golashënuesi më i mirë i Spanjës në sezonin 2006-2007, në radhët e Real Madridit, përpara se ta bënte këtë edhe në Premier League (2002-2003, me Manchester United). Më herët e kishte fituar “Këpucën e Artë” edhe në “Eredivisie” (Hollandë), në sezonet 1998-1999 dhe 1999-2000, me PSV.
Luis Suárez ka ndjekur të njëjtën rrugë si sulmuesi holandez: kryegolashënuesi i “Eredivisie” me Ajax (2009-2010), i Premier League me Liverpool-in (2013-2014) dhe pastaj në La Liga (2015-2016). Cristiano Ronaldo e përfundoi si golashënuesi më i mirë i sezonit 2007-2008 në Premier League, kur ishte pjesë e Manchester United. Këtë sukses e përsëriti tri here në La Liga, dy prej të cilave radhazi, me fanellën e Real Madridit: 2010-2011, 2013-2014 dhe 2014-2015. Tani synon të bëhet edhe “Këpuca e Artë” e Serie A.
Në sezonin e tij të parë në Itali, portugezi u rendit i katërti, pas Fabio Quagliarella, Duván Zapata dhe Piatek. Në atë aktual, ai është në ndjekje të kryegolashënuesit Ciro Immobile. Sulmuesi i Lazio ka 29 gola për momentin, karshi 25 të tillëve të CR7. Portugezi ka shënuar një gol në secilën nga katër ndeshjet e luajtura pas pandemisë. Fundjavën e kaluar realizoi për herë të parë në Itali nga goditja e dënimit, pas më shumë se 40 përpjekjeve. Përveç kësaj, 35-vjeçari ka thyer edhe një rekord shumë të gjatë të “Zonjës së Vjetër”, në fuqi prej gati 60 vitesh. Ai u bë lojtari i parë i Juventusit, që nga viti 1961, që shënon 25 gola sezonalë në Serie A.
Nëse Cristiano Ronaldo vazhdon me këtë ritëm, me siguri do të ketë shanse që ta arrijë synimin madhor në tetë ndeshjet e mbetura për Juventusin. Pra, ta mbyllë si “Këpuca e Artë” e Serie A. Sonte ka një mundësi tjetër për ta ngushtuar distancën me Immobile (Milan-Juventus, ra 21:45, ndërsa Lazio do të luajë në Lecce). Përveç kësaj, me fitoren e nëntë radhazi të titullit nga bardhezinjtë në Serie A, portugezi mund të përqendrohet në Ligën e Kampionëve, që rifillon në gusht. Në garën madhore europiane për klubet ai ka mundësinë të barazohet me një tjetër rekordmen si Paco Gento, futbollisti me më shumë Kupa Europiane (sot, Champions) të fituara, 6 të tilla.