Ish-ylli brazilian i futbollit, Luis Nazario De Lima, i njohur nga të gjithë si Ronaldo, është rikthyer të flasë për eksperiencën e tij te Interi, që zgjati nga viti 1997, deri në vitin 2002 dhe pa të gërshetohen momente të bukura, por edhe të dhimbshme e trishtuese.
Ronaldo, i cili në atë periudhë u pagëzua me emrin “Fenomeni”, pranoi se pikërisht te klubi zikaltër ka ndjerë mbështetjen më të madhe të karrierës, ndonëse ka pasur mundësinë të luajë edhe me klube si Barcelona, Reali i Madridit, Milani, etj.
“Te Interi kam kaluar 5 vite shumë të bukura të jetës time. Ka qenë një periudhë shumë e bukur, në një qytet fantastik, ku unë mësova të dua, por edhe jetova mes njerëzve që më donin të mirën. Kam një dashuri të jashtëzakonshme për Interin dhe për qytetin e Milanos, që do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës time”, deklaroi me nostalgji braziliani.
Ronaldo vendosi të largohet nga Interi në verën e vitit 2002, pasi raportet e tij me trajnerin argjentinas Hector Cuper, kishin prekur fundin dhe sulmuesi i kërkoi presidentin Moratti që të zgjedhë mes të dyve. Sot, kur kanë kaluar 17 vite nga ajo kohë, Ronaldo kujton se ka bërë një gabim shumë të madh, për mënyrën që kishte zgjedhur për të komunikuar me presidentin e tij në atë kohë.
“Nëse do të kthehesha pas, nuk do të vija presidentin Moratti me shpatulla pas murit, pasi atëherë i thashë se duhet të shkarkonte Cuperin, ose në të kundërt do të largohesha unë. Ai vendosi të mbajë trajnerin, pasi nuk mund të pranonte që të bëja unë ligjin, në klubin që drejtonte me shumë pasion e dashuri. Duhet të kisha komunikuar ndryshe me të, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mia me Cuperin, por tani që jam president i Valladolidit, Moratti është një frymëzim për mua”, tha Ronaldo.
Sulmuesi brazilian qëndroi për 5 sezone te Interi, ku arriti të fitojë edhe një Kupë UEFA në vitin 1998, por periudha e tij si zikaltër ishte vërtetë e pafat, për shkak të dëmtimeve, që e shoqëruan në mënyrë të vazhdueshme.
Pikërisht për shkak të problemeve fizike, në 5 sezone me Interin, Ronaldo luajti vetëm 68 ndeshje, duke shënuar edhe 49 gola. Megjithatë në sezonin 2007-2008 braziliani vendosi t’i bashkohej Milanit, duke “thyer” zemrat e tifozërisë zikaltër.