Portugali-Luksemburg, Ukrainë-Portugali apo Juventus-Bologna? Bastet për “pjellorinë” e Cristiano Ronaldos nuk duhet të shkojë përtej këtyre tri ndeshjeve, në të cilat mund t’i shënojë të paktën dy gola dhe të rrumbullakosë shifrën e 700 “rrjetave” të karrierës. Sulmuesi portugez ka realizuar 698 gola për momentin, midis Sporting Lisbona, Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe Portugalia. Këto janë statistikat më interesante, nga viti 2002 deri më sot.
Cristiano Ronaldo shënoi 450 nga 698 golat e tij në vitet spanjolle. 64% e golave të tij në të vërtetë erdhën me fanellën e Real Madridit, ku është edhe rekordmeni i klubit të bardhë si golashënues, në të gjitha garat. Prej kohës që ka kaluar te Juventusi ka realizuar 93 gola (bashkë me kombëtaren), që përbën 13% të totalit, afër rrumbullakosjes së shifrës 100.
“Viktima” e preferuar e tij është Sevilla, ndaj së cilës ka shënuar 27 gola, por edhe Atletico Madrid (25 gola). Të dyja këto skuadra e shohin portugezin si një “bishë të zezë”.
Gjatë 972 ndeshjeve të luajtura deri më tani, CR7 ka shënuar në 21 gara të ndryshme. Dhe, pasi ka luajtur 9 sezone te Real Madridi, nuk është për t’u habitur që La Liga është kompeticioni në të cilin ka shënuar më shumë gola. Në Ligën e Kampionëve është rekordmen absolute, me 127 gola (portugezi është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Europës).
Ronaldo e shënoi pjesën më të madhe të golave me këmbën e djathtë, 440 gola (63%), veçanërisht nga brenda zonës, 593 gola (85%), ndërsa 55 gola i ka realizuar nga goditjet e dënimit. 112 gola kanë ardhur nga goditja e penalltive. Më në fund, duke pasur parasysh kuotën e 700 golave, që po i afrohet, përbëjnë kureshti edhe disa fakte të tjera: goli i tij i 100-të erdhi me Manchester United kundër Tottenham, i 600-ti me Real Madridin, pikërisht kundër Juventusit.