Kevin Bua nuk mundi ta ndalë driblimin e Taulant Xhakës siç duhet. “A je këtu? A je zgjuar?” – i bërtet Xhaka kundërshtarit të tij. Aksioni tjetër funksionon më mirë. Mesfushori 28-vjeçar i FC Basel është shpërthyes në stërvitjen e fundit, para ndeshjes së parë kundër Linz, flet me zë të lartë. Ai nxehet me kolegun e tij. Sepse, është vërtet i nxehtë edhe vetë. I nxehtë dhe në kërkim të atyre që, lojtari më jetëgjatë i këtij FCB, ka parë kaq shumë herë: netët magjike në skenën europiane. Që nga viti 2011, ai i ka përjetuar të gjitha “orët e shkëlqimit” si lojtar titullar i skuadrës. Veçon sfidat kundër Manchester United dhe PSV Eindhoven, në intervistën e gjatë, të dhënë për zviceranen aargauerzeitung.ch.
A ishte ndeshja e kthimit kundër PSV, një nga ato netët magjike?
Sigurisht. Nëse do të kishit pyetur njerëzit para ndeshjes, 70 për qind do të thoshin se PSV do të kualifikohej. Kjo për shkak të skuadrës me të vërtetë të mirë, në të cilën janë lojtarët që kushtojnë 40 milionë euro. Ne si FCB kemi treguar se mund t’i mposhtim lojtarë të tillë, edhe larg shtëpie. Padyshim, pesë minutat e fundit në Eindhoven nuk ishin të përqendruar sa duhet dhe kjo na kushtoi fitoren. Kthimi në Bazel ka qenë padyshim një natë magjike.
Kur e kuptuat gjatë lojës se kjo do të ishte një nga ato netët e famshme magjike?
Në dhjetë minutat e para, ndonjëherë vëreni se në cilin drejtim mund të shkojë një lojë. Në këtë rast, skuadra jonë ishte e gatshme dhe energjike që nga fillimi. Ne i kishim shanset e para që herët dhe e kuptuam që, nëse nuk shpërdorojmë, do të ishte një natë kaq magjike.
A është gjithashtu thelbësore kimia me lojtarët në një fazë të tillë? A u harmonizuat më mirë këtë mbrëmje sesa zakonisht?
Jo domosdoshmërisht, jo. Përkundrazi, bëhet fjalë për ta bërë të mërzitur njëri-tjetrin. Se të gjithë ata që kanë topin, mendojnë të dalin menjëherë në sulm. Kështu mendojnë se e vë kundërshtarin menjëherë nën presion. Por, kur të gjithë duhet të tërhiqeni, e kupton se çfarë mundësish ke brenda vetes. Kjo është gjëja më e rëndësishme.
Para ndeshjeve të tilla të rëndësishme, skuadra grumbullohet më herët se zakonisht. A është e vërtetë se në ekip diçka ndihej në ajër?
Unë mendoj se është kështu, me lojtarët më të vjetër si unë, që kanë luajtur lojëra në Champions. Ata ndiejnë se çfarë mundësish kanë realisht. Ne provojnë që këtë ndjesi ta përcjellim te lojtarët, që kurrë nuk kanë luajtur në nivel europian. Iu themi atyre që të mos jenë nervozë, të luajnë lojën e tyre në të njëjtën mënyrë si në kampionat.
Atëherë, si funksionoi gjithçka ndaj PSV?
Është e vështirë të përshkruhet. Në kthimin ndaj PSV ishte dita e të gjithëve, mund ta them këtë. Thjesht, funksionuam si duhet të gjithë, edhe pse kemi pësuar një gol budalla. Kemi luajtur një futboll të shkëlqyeshëm, u vendosëm mjaft mirë nga trajneri. Treguam pasion. Edhe nëse dikush bëri një gabim, të gjithë u hodhën në mbulim të tij.
A ka ndonjë mënyrë të veçantë karikimi, para ndeshjes?
Personalisht nuk bëj asgjë të veçantë. Ne grumbullohemi në hotel një ditë më parë, hani mirë, pimë mirë, fle mjaftueshëm. Por, edhe kështu, një nervozizëm i caktuar ekziston akoma te secili.
A keni rituale para ndeshjes?
Jam gjithmonë duke folur në telefon me vëllain tim, rrugës për në stadium.
Çdo herë?
Pothuajse gjithmonë. Ai pastaj përpiqet të më japë disa këshilla të fundit. Graniti i njeh klubet e mëdha, tashmë ka luajtur pothuajse kundër të gjithëve.
Çfarë këshillash ju jep?
Ai më thotë se cilin lojtar duhet të shikoj, cili është veçanërisht i shpejtë, teknikisht i fortë, ose tërheq gjithmonë nga brenda. Sigurisht, unë përgatitem taktikisht me ekipin dhe i realizoj vetë këto gjëra në 15 minutat e para të një ndeshjeje. Por, biseda me vëllain tim, thjesht më ndihmon.
Sidoqoftë, shfaqni njëfarë nervozizmi. Kur ndodh kjo?
Para se të bëjmë nxehjen, por jo më pas.
A ka qenë gjithmonë kështu?
Jo, unë ende mund ta kujtoj ndeshjen time të parë, 3-3 kundër Manchester United, në “Old Trafford”. Në atë kohë, Thorsten Fink më dha mbështetje morale, sepse në një moment mendova se po pësoja atak kardiak (sulm në zemër). Ishin 70.000 spektatorë në stadium, te Manchester United luanin futbollistë si Ryan Giggs apo Paul Scholes. Ata ishin legjenda. U stresova shumë aty, sepse mendova: nëse humbas një top të vetëm, atëherë ai përfundon në portën tonë… Sidoqoftë, në fund gjërat shkuan mirë.
Si luftohet kundër kësaj frike?
Ju duhet të futeni në një përplasje të tillë duke menduar se është ndeshje normale. Nëse nervozizmi bëhet shumë i madh, mposhteni, zhyteni; bëni vetëm pasime të këqija, gjendeni me mendimet e gabuara në vendin e gabuar. Kjo nuk është aq e lehtë, sa duket nga jashtë. Shumë mendojnë se e kemi të thjeshtë të luajmë futboll, por nuk është kështu.
Ndeshja në fjalë, kundër Manchester United, ishte e para e juaja në skenën europiane dhe e magjishme. Pas asaj keni përjetuar netë të panumërta të tilla. Cila ishte nata juaj më magjike?
Ka pasur shumë, është e vështirë të zgjedh. Padyshim, barazimi 3-3 në Manchester është njëra prej tyre. Por, edhe barazimi 1-1 në Liverpool, mbetet i paharrueshëm. Edhe kthimi kundër PSV, gjithashtu.
Ju flisni për presion. Sa ju, si lojtarë, e merrni parasysh se një ndeshje e vetme në Europë vlen miliona euro, se e ardhmja e skuadrës varet nga ajo?
Ju e keni gjithmonë parasysh këtë gjë, natyrisht. Personalisht, nuk më pëlqen të merrem me llogari të tilla. Mundohem ta kem mendjen të qetë e të qartë dhe thjesht të luaj futboll. Kur viheni nën presion, nuk mund të përqendroheni.
A e vuajtët presionin, pas ndeshjes me PSV?
Ju gjithmonë keni presion si futbollist, por nuk është i njëjti presion.
A ndiheni më shumë në presion se të tjerët, sepse jeni zv.kapiten?
Nuk ka më shumë presion, por më tepër përgjegjësi në këtë rol. Duhet të ndihmoj më të rinjtë, sepse kam qenë në rolin e tyre, 19 apo 20 vjeç.
A i keni përjetuar netët magjike ndryshe nga sot, kur tashmë keni parë kaq shumë prej tyre?
Nuk mendoj kështu. Në momente të tilla, të gjithë janë gjithmonë të lumtur. Unë isha po aq i lumtur për fitoren ndaj PSV, sa në barazimin 3-3 kundër Manchester United. Kjo ishte e njëjta gjë të martën e kaluar. Edhe ata që nuk luanin prej një kohe të shkurtër ishin aq të lumtur sa pjesa tjetër e ekipit në fushë.
A është bërë skuadra më e forte, sidomos pas kësaj loje kundër PSV?
Sigurisht, në këtë lojë kemi qenë në gjendje ta forcojmë më shumë vetëbesimin. Se mund t’ia dilnim në këtë ndeshje ishte po aq e rëndësishme sa fitorja ndaj PSV-së.
Perceptimi i gjerë është se kampionati zviceran ka pasur përkeqësim…
Nuk mendoj kështu. Ka shumë talente, shumë lojtarë të rinj të mirë dhe mbi të gjitha shumë lojtarë të uritur. Ndoshta jo më emra të mëdhenj, me shkëlqim. Veç FC Basel, po rivalizojnë për trofe edhe YB e Cyrih. Edhe të vegjlit janë bërë më të fortë. Në veçanti, taktikisht. Asnjë ekip nuk tërhiqet më. Për shembull, nëse keni parë Servette të luante kundër YB, e besoni këtë që po them.
Sinqerisht, a e njihje më parë Linz?
Unë me siguri kam dëgjuar që ky klub ekzistonte, por nuk i njoh lojtarët e tij.
FC Basel, a është favorit ndaj tij?
Ne kemi qenë disa herë në Ligën e Kampionëve dhe ndoshta kemi më shumë përvojë si klub sesa ata. Sidomos në këtë nivel. Por, siç thashë, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë kundërshtar. Saktësisht, kundërshtarët e tillë janë më të rrezikshmit. Sidoqoftë, ne mund t’ia dalim me sukses në dy ndeshje.