Sport Daja prezantohet te Skënderbeu: Kam marrë garancinë se ekipit nuk do t’i...

Daja prezantohet te Skënderbeu: Kam marrë garancinë se ekipit nuk do t’i mungojë asgjë

Ilir Daja, një ditë pasi ka nisur punën me skuadrën, është prezantuar te Skënderbeu.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e klubit, Ardjan Takaj, Daja shpjegoi pse pranoi ofertën e korçarëve.

“Kam patur oferta nga ekipe të ndryshme, por zgjodha Skënderbeun sepse kam arritur kulmin e karrierës me këtë ekip. Në një edicion fituam kampionatin, kupën dhe bëmë historinë, duke kaluar katër ture në Evropë. Herën e parë truri dëgjoi zemrën, këtë herë zemra dëgjoi trurin. Do të punoj për këtë skuadër dhe për gjithë qytetin”, tha Daja.

Trajneri theksoi se ka marrë garanci për të ardhmen e skuadrës: “Bashkë me Presidentin dhe qytetin mendojmë që merkato do të nisë nga lojtari i 12, nga tifozët që i duam të na mbështesin në këtë situatë. Presidenti në bashkëpunim me bashkinë na ka dhënë garancinë që ekipit nuk do t’i mungojë asgjë”.

Ndërsa Presidenti Takaj u shpreh se pavarësisht situatës së Skënderbeut, janë marrë masat që ekipi të arrijë objektivat: “E dini vetë situatën e vështirë të Skënderbeut dhe të kampionatit, prandaj kemi marrë masat që të hyjmë seriozisht në garë dhe të arrijmë objektivat tona. Me Dajën kemi kaluar një periudhë të bukur dhe kemi realizuar suksese të mëdha, të cilat nuk besojmë se ndonjë skuadër tjetër do t’i afrohet rekordit të këtij trajneri. Si kaluam ato vite të suksesshme, vendosëm të bashkëpunojmë për të kaluar edhe këtë vit, i cili ka qenë shumë i vështirë. Biseduam gjatë sepse në këto kushte asnjë trajner nuk do të ishte komod në stolin e Skënderbeut, por besojmë se Ilir Daja me seriozitetin e tij do t’ia dalë. Skënderbeu i 10 viteve të fundit është dominues i kampionatit. Kampionë jemi shpallur në fushat e lojës dhe jo nëpër studio. Objektivi nuk është titulli kampion, por nuk do të shmangemi nga gara. Duam të jemi rivalë serioz në këtë edicion. Këtë problem që e ka kaluar Skënderbeu në këto katër vjet, kushdo që të ishte do të ishte dorëzuar. Por, ne kemi edhe një proces të cilit do t’i shkojmë në fund dhe vazhdojmë rrugën tonë. Ky nuk ishte dënim, ishte pushkatim. Dënimi ishte racizëm”.