Gazeta Si.al zbardh rrëfimet ekskluzive të dëshmitarëve të masakrimit të Xhevrije Cakës.
“Dëgjova të shtëna armësh, të cilat mund të ishin tek e tek apo edhe me breshëri. U tremba dhe dola me vrap nga stani dhe rreth 200 metra më larg pashë dy makina, njëra me ngjyrë të verdhë dhe tjetra me ngjyrë gri e errët, ishin katër apo pesë persona, tre prej të cilëve të veshur me të zeza ishin në këmbë dhe secili prej tyre mbante armë të gjata në duar. Të tjerët në makinë nuk i fiksova. Njëri nga ata çalonte. Ata hipën në makina dhe dolën në dritaret e makinave me armë nga ana jonë. Pas kësaj, ata u larguan në drejtim të Sektor Semanit. Kur erdhi babi në shtëpi tha se kishte gjetur një person të vrarë në vendin ku unë pashë makinat dhe njerëzit e armatosur”. Ky është rrëfimi i një vajze, që gazetasi.al disponon, e cila pa e ditur as vetë kishte qenë dëshmitare në një vrasje nga më makabret e ndodhura në vitin 1999. Njeriu që sapo ishte ekzekutuar ishte e moshuara Xhevrije Caka dhe dëshmitarja okulare në atë kohë ishte 7 vjeç. Siç konstaton Policia Kriminalistike gruaja ishte qëlluar me armë zjarri në qitje të afërt me gjashtë plumba nga një distancë e afërt.
Në dosjen hetimore dhe procesverbalet e mbajtur gjatë gjykimit ndaj tre vrasësve Fatmir Emini, Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri tregohet se një nga krimet më makabre ka qëndruar deri në vitin 2007 me status të pezulluar dhe pa autorë. Dy vite pas kësaj, gazetasi.al ka arritur të zbulojë se Prokuroria pas katër zgjatjesh të afateve hetimore caktoi masa sigurimi ndaj tre vrasësve, të cilët u angazhuan në rrëmbimin e të moshuarës dhe vrasjen e saj për të marrë hak për vrasjen e Pëllumb Eminit që ishte vëllaii Mile Camit (Fatmir Eminit, vdekur në burg). Ai ishte vrarë nga Lulzim Caka dy vjet para se t’i ekzekutohej e ëma, në një grindje që kishte nisur për radhën e larjes së makinës në një lavazh.
Gazetasi.al sjell ngjarjen që shkaktoi disa masakra
Dy vjet pasi kishte vrarë Pëllumb Eminin, Lul Caka më 1 korrik 1999 ndodhej i arrestuar në Komisariatin e Fierit. E ëma shkoi për ta takuar të birin në paraburgim dhe ishte nën shoqërinë e dhëndrit të saj, Shkëlqim Petriti. Gazeta Si.al ka mësuar se në çastin që ajo u afrua një makinë u afrua dhe e rrëmbeu. Dhëndri i të moshuarës, madje tre muaj pas masakrimit të saj, ishte kërcënuar nga disa persona, të cilët i kishin kërkuar llogari se çfarë kishte dëshmuar për vrasjen e Xhevrijes dhe ai u kishte thënë ‘nuk kam dhënë asnjë emër, nuk i kam njohur personat që e rrëmbyen”. Siç dëshmon K. Dh, i cili gjendej me Petritin atë ditë “ata i thanë hajde të shkojmë në polici dhe të shohim dokumentet se çfarë ke thënë. Shkëlqimi hyri në polici bashkë me ta, qëndruan 20 minuta. Unë e pyeta Shkëlqimin se çfarë bëtë, ai më tha që panë denoncimin tim. Pas kësaj, ai e solli familjen në fshat”.
Gazeta Si.al ka arritur të zbulojë se dëshmitari tjetër që fundosi Fatmir Eminin është L. Çaushaj, i cili tregon se si Mile Cami ishte përpjekur disa javë t’i bënte dhurata si makinë e shtëpi, por edhe duke i dërguar pesë milionë lekë. Dëshmitari shton “I thashë Miles ti je burgaxhi 74 , unë i 82, më thuaj çfarë kërkon nga unë? Më tha unë dua të më sjellësh lepurin në tavë. Në datën 25 janar Lulzimi ka gjyq. Dua të më thuash se kur do shkojë në takim ai, pasi në fshatin e tij unë kisha krushqi. Dakord i thashë. Fatmiri më tha: po rroj si mish me dy sy, kam hall dua të vras Lulzim Cakën, komandantin që vrau vëllanë tim. E pyeta si mund ta arrish? M’u përgjigj unë dua një lugë ujë se oqeanin e bëj vetë. U tensionova dhe i thashë do mendohem. Shkova në shtëpi dhe i shkrova një letër Lulzim Cakës dhe të vëllait Julian Caka, ku ju kërkova që domosdo të mos pranonte gjykimin në datë 25 janar. Po mendoja si t’ia dërgoja. Të nesërmen në qafën e Koshovicës vjen Fatmiri dhe dy vëllezërit Yzeiri. I dhashë dorën në shenjë besnikërie dhe i thashë ajo që më the ti do bëhet, dhe i vura kushte, duke i kërkuar 50 mijë dollarë dhe një pasaportë. Ai m’u përgjigj që me shtetin nuk do kisha probleme dhe të nesërmen pashë që takoi dikë me sllon dhe makinë me targa diplomatike. Ai i dha një zarf. Kur Fatmiri u kthye, më la në dorë një pasaportë diplomatike me emrin Petro Jovali lindur në 1971 në Delvinë. Ata nuk më ndaheshin më, derisa një ditë takoj në rrugë B. H, i them nën zë, merre këtë paketë dhe çoje te daja im në Bilisht të Beratit. Ndërkohë që Fatmirit i shpëtova, pasi mora vesh që ata kishin bërë plan që kur të nxirrja Lul Cakën nga burgu të na hidhnin në erë të dyve. Megjithatë, unë dhe sot e kësaj dite i kam dokumentet që më dha në shtëpi. Më pas mora vesh që daja im e kishte dërguar letrën dhe kështu ata nuk e vranë dot Lulzim Cakën, por Fatmiri më tha në telefon “nga unë ke ose plumbin ose 101 (burgim i përjetshëm, sqarim i gazetës).
Por, megjithëse dëshmitari i ka qëndruar këtij versioni në sallën e gjykatës, gazetasi.al mëson se prokurori kundërshton dhe i kërkon gjykatës që të shtojë edhe një pjesë dëshmie, të cilën ai e ka dhënë në polici kur është pyetur. Aty flitet edhe për vrasjen e të ëmës së Lul Cakës.
“Fatmir Emini më tha: kam hall, dua të heq komandantin Lul Caka, po vrava atë do iki të jetoj në Afrikë. Unë dua të ha atë, se kam shumë frikë prej tij, dua të ha atë se të tjerët janë harabela për mua. Se klloçkën unë e hëngra”.
Dëshmitari tregon sipas procesverbaleve të marrjes në pyetje që Gazeta Si.al disponon se e ka pyetur se për cilën klloçkë bëhet fjalë dhe ai i është përgjigjur “nënën e Lul Cakës, për kurvën plakë që e mbante me tagji burg më burg”. Dëshmitari ka shtuar se Mile Cami e ka çuar me makinë në vendin ku e kishte rrëmbyer të moshuarën fiks mbas komisariatit. Dëshmitari tregon “e pyeta si e kishte realizuar rrëmbimin fare pranë policisë dhe Mile Cami kishte shtuar se lepurin ia kishin çuar në tepsi dy vëllezërit, Artan dhe Bledi Yzeiri, e kishin hipur në ‘benz’-in e nipit të tij dhe ia kishin dorëzuar në rrugën e Semanit.
Dëshmia e Lul Cakës (Xhon Franko) në Gjykatë
Isha në ajrosje, nuk dija gjë për nënën. Kishte kohë që më mungonte, ma ndjeu shpirti që i kishte ndodhur diçka dhe madje kisha ditë që as nuk rruhesha. Më pyet një polic i shërbimit “a je burrë?”. Ju përgjigja se kështu e di që jam. Më tha “nënën ta kanë vrarë”. Kërkova shpjegim nga personeli të më thoshin pse ma kishin vrarë nënën, takova edhe shefin e Komisariatit që më tha nuk ta kanë vrarë nënën, por pasi më qetësoi më tha “po ta kanë vrarë, por emrat nuk m’i tregoi”. Pjesëmarrësit në vrasjen e nënës time i di gjithë Fieri. Ajo ka qenë e shoqëruar me kunatin dhe po vinte tek unë. Nëna i tha ik që këtu se kishte parë Bledar Yzeirin dhe Mile Kakacin, të cilët i kishin thënë mos hajde ta takosh Lulin. Nëna u kishte thënë do vete. Më vonë më erdhi motra dhe më tha që i kishte thënë burri që nënën ma rrëmbyen Fatmir Emini, Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri dhe dy nipërit e Miles. Ata ishin bërë të famshëm dhe kishin kërcënuar pas krimit edhe kunatin. Është e vërtetë, L. Çaushaj më kishte çuar një letër te dajat e mi dhe më njoftonte të bëja kujdes se donin të më vrisnin. Ndaj një kohë të gjatë ju shmanga vajtjes në gjyq. Në paraburgimin e Fierit ika pasi mora vesh vrasjen e nënës time.
Gazeta Si.al ka mësuar se Gjykata ka përmendur edhe dëshminë dhe frikën e vazhdueshme të dhëndrit të Xhevrije Cakës, Shkëlqim Petriti i cili ka dhënë edhe një dëshmi para një noteri në gjendje kërcënimi nga dy vëllezërit Yzeiri që më pas u dënuan me nga 25 vite burgim.
Noteri
Gazeta Si.al ka zbuluar se Shkëlqim Petriti ishte i shoqëruar nga dy persona dhe deklaroi se të pandehurit nuk i njeh, nuk kanë qenë në vendngjarje dhe se hera e parë që ai i shikon ishte pikërisht ai moment para noterit.
Menjëherë pasi ka dhënë këtë dëshmi dhëndëri i të moshuarës që pa se kush ia rrëmbeu vjehrrën para syve, është kthyer në banesën e tij bashkë me fëmijët, ku për disa muaj ishte larguar nga frika se mos e vrisnin edhe atë. Më vonë dhëndri tregon për drejtësinë.
“I pashë personalisht të pandehurit pas Komisariatit të Fierit, e rrëmbyen dhe e futën me forcë në mjetin ‘Mercedez Benz’ ku gjendeshin dy vëllezërit Yzeiri. Menjëherë pas rrëmbimit u larguan në rrugën që të çon për në Seman. (gazetasi.al)