Bota Rreth dy orë telefonatë, përfundon biseda mes Trump dhe Putin, Moska: Sot...

Rreth dy orë telefonatë, përfundon biseda mes Trump dhe Putin, Moska: Sot bota është më e sigurt

Pas rreth dy orësh ka përfunduar biseda telefonike midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

NBC News dhe CNN duke ju referuar burimeve nga Shtëpia e Bardhë kanë konfirmuar fundin e telefonatës së shumëpritur mes dy liderëve.

Tema e diskutimit në këtë bisedë të gjatë nuk ishte tjetër veçse lufta në Ukrainë dhe hapat që duhen ndërmarrë për t’i bërë palët ndërluftuese të dorëzojnë armët.

Tani, priten përditësime zyrtare nga Uashingtoni dhe Kremlini për të përcaktuar drejtimin që mori biseda dhe nëse u arrit ndonjë përfundim thelbësor.

Zëvendësshefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, ishte ai që informoi për fillimin e bisedës telefonike Trump-Putin, rreth orës 16:00, duke theksuar se diskutimi “po shkonte mirë”.

Reagimi i parë pas përfundimit të telefonatës erdhi nga i dërguari special i presidentit rus për investime dhe bashkëpunim ekonomik, Kirill Dmitriev, duke thënë se “nën udhëheqjen e Presidentit Putin dhe Presidentit Trump, bota është bërë sot një vend shumë më i sigurt!”.

“Histori! Epike!”, shkruan ai.