Kryesore Rrëzon kërkesën e PD, Gjykata Kushtetuese legjitimon administrimin e Butrintit

Rrëzon kërkesën e PD, Gjykata Kushtetuese legjitimon administrimin e Butrintit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e bërë nga deputetët e Partisë Demokratike për të shfuqizuar ligjin për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Gjyqtarët kanë lënë në fuqi marrëveshjen e bërë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit për Menaxhimin e Butrintit.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar marrëveshjen për Butrintin. Sipas saj, kjo marrëveshje nuk cenon identitetin kombëtar.

“Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese”, thuhej në vendim

Sipas “Kushtetueses” marrëveshja në tërësinë e saj ka krijuar mekanizma garantues.

“Së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;

së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;

së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë”, thuhet në vendim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor me shumicë votash.