Aktualitet Rriten ndjeshëm të infektuarit me koronavirus në Korçë, vetizolohen qindra persona

Rriten ndjeshëm të infektuarit me koronavirus në Korçë, vetizolohen qindra persona

Qyteti i Korçës po përjeton ditë vërtetë të vështira. Pas rasteve të para me koronavirus, numri i të prekurve në këtë qytet u rrit menjëherë ditën e martë. Përveç rasteve të konstatuara pozitive me Covid-19, një numër i konsiderueshëm personash tani janë në karantine për shkak të kontakteve që mund të kenë pasur me personat e infektuar.

Kështu, një nga institucionet lokale që është prekur nga karantinimi është Kadastra e Korçës, ku 53 punonjësit e saj janë futur në karantinë, pasi nga personat e infektuar së fundmi, tre prej tyre punonin në këtë institucion. Gjithashtu, pjesa më e madhe e punonjësve dhe shërbimit mjekësor në Doganën e Tushemishtit janë futur në karantinim pasi një prej të prekurve më parë ishte punonjës në këtë pikë doganore.

Nga ana tjetër, autoritet lokale të shëndetit publik, apelojnë te qytetarët që të shmangin panikun. Autoritetet kanë filluar menjëherë hetimin epidemiologjik të rasteve të konstatuara me koronavirus, ndërsa është bërë edhe dezinfektimi i ambienteve ku kanë shërbyer dhe banuar personat e prekur./A2