Ka njohur sërish rritje numri i të infektuarve me Covid-19 në 24 orët e fundit. 921 raste të reja rezultojnë pasi 6184 testime të kryera, ndërsa është shënuar një humbje jete, një 64-vjeçar nga Kruja.
Gati një të katërtën e rasteve e ka kryeqyteti me 213 të infektuar ndërsa me numër të lartë të infektuarish rezultojnë në 24 orët e shkuara Vlora, Shkodra, Durrësi e Kruja.
Shpërndarja gjeografike e të infektuarve po rritet dita-ditës, duke u shënuar raste dhe në bashkitë që muajt e fundit janë cilësuar si zona të gjelbra pasi nuk kishin të infektuar të rinj.
Në të gjithë vendin, aktiv me Covid janë 8311 pacientë.
Pacientët e shtruar janë 96 dhe të moshave të ndryshme, disa dhe të vaksinuar me 1 ose me të dyja dozat nga të gjitha llojet e vaksinave që aplikohen në vend.
Pavarësisht kësaj autoritetet kanë vijuar apelin për vaksinimin pasi kjo kategori e kalon më lehtë, ose në gjendje të moderuar edhe nëse infektohen me Covid-19.