Bota Sekuestrim rekord droge në Malin e Zi

Sekuestrim rekord droge në Malin e Zi

Policia malazeze deklaroi se arriti të sekuestronte më shumë se një ton kokainë të fshehur mes bananeve, duke çuar në arrestimin e dy personave.

“Droga ishte fshehur në rreth 1 200 pako të veçanta dhe u gjet mes ngarkesës me banane”, raportoi  policia malazeze në Twitter pa dhënë detaje të tjera.

Autoritetet malazeze kishin informacion për dërgesën, por kishin lënë vetë kamionin të kalonte në portin e Tivarit, për të zbuluar destinacionin përfundimtar.

Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur në Malin e Zi. Sasia e mëparshme rekord ishte regjistruar në vitin 2014, ku një sasi prej 250 kilogramësh ishte sekuestruar në portin e Tivarit.

Mediat malazeze theksuan se kjo është goditja më të madhe kundër mafies së drogës në vendin e vogël të Ballkanit dhe Adriatikut me 620 000 banorë.

Klanet malazeze kontrollojnë një pjesë të tregtisë së kokainës nga Amerika Latine në Evropë dhe njihen për pamëshirshmërinë dhe brutalitetin e tyre.