Kriza e përshkallëzuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka ndikuar menjëherë në çmimin e naftës në tregjet globale. Nafta bruto “US crude” u shit me 63 dollarë për fuçi, ndërsa ajo “Brent crude” me 69 dollarë për fuçi. Të dy këto çmime përdoren si referencë për të përcaktuar çmimin e naftës dhe derivateve të saj në të gjithë botën.
Sipas CNN, investitorët janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike pasi një luftë e hapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të kërcënonte furnizimin me naftë nga Lindja e Mesme. Rritja e çmimit të naftës mund të godasë rëndë ekonominë botërore, e cila së fundmi është ngadalësuar nga dobësimi i aktivitetit prodhues global.
Për të shmangur një gjë të tillë, vendet anëtare të OPEC kanë reaguar duke thënë se bota nuk mund të përballojë rikthimin në një situatë ku çmimi i naftës të kalojë 100 dollarë për fuçi. Ministri i Energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Suhail Al Mazrouei, tha për CNN Business se karteli i naftës do të përpiqet të mos pengojë shitjen normale të naftës edhe nëse konflikti përshkallëzohet më tepër. Megjithatë, ai paralajmëroi se OPEC nuk ka burime të pakufizuara.