Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e avokatit Maks Haxhia për pezullimin e procesit për Arbër Çekajn, pronari i kompanisë “Abi Gardën” që kishte porositur kontenieret me banane ku u kapën 613 kg kokainë.
Avokati Maks Haxhia i kërkoi gjykatës pezullim të procesit derisa të shprehet KLP për largimin e prokurorit Kondili.
Seanca nisi me debate, ndërsa Çekaj ka hedhur akuza për prokurorin Edvin Kondili
Arbër Çekaj: “Prokurori ka manipuluar provat. Unë jam brenda se jam nga Tropoja. Edvin Kondili e ka personale me familjen time. Ai më poshtëroi babain duke hapur me dhunë kontejnerin. Unë s’kam asnjë problem me Kondilin. Ky zotëri, trafikantit nga Vlora konteineret ja la deri në fund dhe i humbi orizi. S’kam asnjë problem me vlonjatet, por grupet kriminale vazhdojnë trafikun e unë në burg.
Ky prokuror kaloi vetting-un në kurrizin tim dhe u bë pjesë e SPAK. E ka personale me mua dhe familjen time. Unë nuk mund të vazhdoj me të. Nëse SPAK nuk ka një prokuror në këtë vend, të bëhet si Champions League, të merret nga Serbia, meqë tani kemi marrëdhënie të mira. Nuk e di çfarë keni me familjen Kuliçaj. Do vijë dhe e drejta ime, në rrugë ligjore, normalisht”.
Ndërkohë, prokurori Kondili tha se kërkesa është e padrejtë: “Nuk njoh asnjë mbiemër dhe nuk kam asgjë personale. Sa për kërcënimet, nuk më frikësojnë dhe as nuk ia këshilloj të pandehurit”.
Kërkesa e Çekajt u refuzua nga gjykata. Në vijim, Çekaj dhe dy të bashkëpandehurit kërkuan të lirohen nga qelia, por kjo kërkesë është rrëzuar.