Shkon në 81 në total numri i viktimave nga koronavurisi në Kinë, një shifër e rritur ndjeshëm vetëm gjatë orëve të natës nga 56 që ishte mbrëmjen e djeshme. Rreth 2800 numërohen të infektuarit.
Zona më e prekur është rajoni i Hubeit prej nga ku mendohet se e ka origjinën virusi dhe qyteti Wuhan. Të prekur janë raportuar edhe në 10 vende të tjera jashtë Kinës si SHBA, Kanada, Australi, Francë etj.
Vijon bllokimi i transportit dhe frenimi ndaj çdo festimi në lidhje me vitin e ri hënor në territorin e Kinës. Qeveria kineze ka kërkuar mbylljen e bizneseve duke e shtyrë pushimin zyrtar deri më 3 shkurt.
Ndërkohë, qeveria e Hong Kongut mori vendim që duke nisur nga e hëna të ndalojë hyrjen në vend të gjithë rezidentëve kinezë të rajonit Hubei, vendi nga ku u deklarua se ka origjinën koronavirusi.
Rregulli do të aplikohet edhe ndaj atyre që kanë vizituar provincën gjatë 2 javëve të fundit. Në deklaratën e shpërndarë nga autoritetet shkruhet se ky rregull nuk do të ndikojë rezidentët vendas që do i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme.