Kryesore Rritet numri i viktimave të vrasjes masive në Malin e Zi

Rritet numri i viktimave të vrasjes masive në Malin e Zi

Një 45-vjeçar ka vrarë të paktën 12 persona me armë zjarri në Cetinje të Malit të Zi. Në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë. Më pas vrasësi ka qëlluar edhe veten me armë zjarri në kokë dhe ka vdekur gjatë rrugës për në spital. Këto të dhëna i ka konfirmuar ndërkohë edhe prokurorja e rastit Andrijana Nastiq.

Ajo bëri të ditur se vrasjet kanë ndodhur në pesë vende të ndryshme. Sipas mediave vendase, autori e ka kryer krimin e parë në një lokal. Ndërsa vrasjet tjera i ka kryer në vende të tjera. Të plagosur kanë mbetur edhe katër persona. Pas disa orësh kërkimesh, sulmuesi e ka goditur veten me armë dhe ka vdekur gjatë transportit për në spital. Mediat malazeze njoftojnë se personi që ka vrarë veten është Aco Martinoviq, i cili dyshohet se ka kryer edhe vrasjet e mëparshme.

Motivet nuk dihen akoma

Deri tani nuk dihet saktë motivi i vrasjeve, por policia supozon se nuk është fjala për ndonjë krim që ka lidhje me krimin e organizuar, por një akt emocional. Policia ka bllokuar shumë zona të Cetinjes dhe po bën hetime. Por deri tani nuk është konfirmuar për motivet e kësaj masakre.

Në të njëjtin qytet, pra në Cetinje, në gusht të vitit 2022 ka pasur edhe një vrasje tjetër masive, kur një sulmues i armatosur qëlloi dhjetë persona përpara se ai vetë të vritej nga një kalimtar i armatosur.

Mediat gjermane njoftojnë se në Mal të Zi dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka shumë armë legale dhe ilegale në qarkullim, të cilat shpesh përdoren edhe për krime të ndryshme.

Pas kësaj masakre, në Mal të Zi u shpallën tri ditë zie.