Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe organet e tjera ligj zbatuese në vend, si dhe me ndihmën e agjentëve të Sigurisë së Shërbimit Diplomatik të atashuar në Ambasadën Amerikane (DSS), finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rruga e gabuar”.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 32 shtetas shqiptarë, mes tyre 1 punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë. Nga të arrestuarit 6 prej tyre me masë sigurie “Arrest shtëpie”.
Ndërkohë u zbuluan e sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentash të personave si dhe një armë zjarri automatik.
Në koordinim të plotë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u kryen ndalimet për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”.
Personat e arrestuar janë:
A.Sh., 46 vjeç, nga Tirana
S.K., 60 vjeç, nga Tirana
R.H., 43 vjeç, nga Gjirokastra
D.S., 35 vjeç, nga Gjirokastra
L.M., 61 vjeç, nga Përmeti
A.Z., 48 vjeç, nga Delvina
E.O., 52 vjeçe, nga Saranda
K.Gj, 52 vjeç, nga Korça
A.D., 54 vjeç, nga Korça
P.B., 59 vjeç, nga Vlora
G.Sh., 32 vjeç, nga Tirana
B.M., 52 vjeç, nga Kruja
A.K., 35 vjeçe, nga Mallakastra
Gj.M., 46 vjeç, nga Vlora
A.E., 47 vjeç, nga Sranda
E.M., 31 vjeç, nga Fieri
I.M., 59 vjeç, nga Gjirokastra
S.Ç., 55 vjeç, nga Gjirokastra
M.M., 31 vjeç, nga Lushnja (në banesë ju gjet armë zjarri kallashnikovë)
D.T., 50 vjeç, nga Elbasani
B.H., 45 vjeç, nga Berati
Ç.T., 48 vjeç, nga Gjirokastra
V.Gj., 50 vjeç, nga Gjirokastra
M.Sh., 46 vjeç, nga Gjirokastra
V.G., 54 vjeç, nga Saranda
E.B., 28 vjeç, nga Tepelena (me detyrë punonjës policie)
Sh.Sh., 65 vjeç, nga Saranda (arrest shtëpie)
E.M., 56 vjeç, nga Fieri (arrest shtëpie)
J.G., 69 vjeç, nga Delvina (arrest shtëpie)
A.L., 52 vjeç, nga Kruja (arrest shtëpie)
I.M., 35 vjeç, nga Tirana (arrest shtëpie)
Z.Xh., 57 vjeçe, nga Vlora (arrest shtëpie)
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër, ku u përfshinë rreth 250 forca policie.
Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan, Tiranë, Korçë, etj.
Ky operacion u zhvillua në vijim të procedimit penal “272”, në bazë të hetimeve dhe informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë se Krimeve të Rënda dhe në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese vendase e të huaja, ku u godit pjesa tjetër e grupit të strukturuar kriminal që vazhdonte aktivitetin pas goditjes në vitin 2018.
Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e BE-së, si dhe atyre shtetasve që iu ishte ndaluar hyrja në një nga vendet e hapësirës SCHENGEN.
Anëtarët e këtij grupi kriminal, pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada.
Ky grup kriminal ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe shtatas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia.
Në funksion të këtij hetimi janë dokumentuar disa episode ku personat e mësipërm kanë falsifikuar dokumente të udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit disa shtetasve.
Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e një punonjësi të policisë, i cili duke shpërdoruar detyrën ka kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe ka ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononte për shkak të detyrës në një pikë kontrolli kufitar.
Gjatë operacionit nga policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal.
Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe personat e tjerë të përfshirë.
Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.