Në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, bëri të ditur se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.
Zonja Hajdari thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimi i saj është në respekt të Kushtetutës, ndërsa vendimi i partisë demokratike është marrë me nxitim, pa u llogaritur rreziku i destabilitetit.
Zëri i Amerikës: Zonja Hajdari! Deputetët e opozitës kanë vendosur të heqin dorë nga mandati. Ju ende nuk jeni shprehur se ‘do të bëni. A keni marrë një vendim?
Rudina Hajdari: Ky është një moment i vështirë për jetën time. Këtu nuk bëhet fjalë për karrierën time politike. Jam vënë përpara një përgjegjshmërie shumë të lartë morale dhe njerëzore. Duke parë situatën e sotme, mendoj se Shqipëria është në një udhëkryq, ku nuk shihen zgjidhje as majtas as djathtas. Nga ana tjetër të gjithë jemi në gjendje të shohim se ku është e ardhmja, por e kaluara është ende mbi supet dhe në zemrat tona. Duke qenë se jemi në këtë udhëkryq unë mendoj se duhet të vendos me një përgjegjshmëri shumë të lartë morale. Nuk do të zgjedh rrugën më të lehtë dhe të siguroj karrierën time politike, por do të zgjedh një rrugë e cila ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe për fëmijët tanë.
Zëri i Amerikës: Më konkretisht, a do të merrni pjesë në punimet e parlamentit, apo do ta dorëzoni edhe ju mandatin si kolegët e tjerë të deputetë të partisë demokratike?
Rudina Hajdari: Vendimi im ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe me ecurinë e demokracisë në vend. Unë mendoj se parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, u jep oksigjen partive politike, ai është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Duke marrë parasysh këtë përgjegjshmëri të lartë që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur dhe shërbimi më i duhur që do t’i bëja të ardhmes së Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Pse vendosët të ndërmerrni një vendim të tillë? Cilat janë arsyet?
Rudina Hajdari: Janë disa arsye komplekse besoj, mes të cilave ka arsye shumë të rëndësishme për vendin tonë. Së pari duhet të sqaroj se kur partia demokratike mori vendimin për djegien e mandateve unë nuk kam qenë e pranishme në mbledhje, nuk jam kontaktuar në asnjë lloj forme për t’u konsultuar mbi këtë vendim. Nëse do të isha në atë mbledhje, do të parashtroja dy gjëra: vendimi për të dorëzuar mandatet në mënyrë en block nga të gjithë deputetët e opozitës dëmton interesin e Shqipërisë në dy mënyra. Së pari ai dëmton proceset integruese në Bashkimin Europian dhe së dyti dëmton marrëdhëniet bilaterale me partnerët tanë strategjikë si SHBA dhe BE. Mendoj se ky vendim është marrë në mënyrë rrufe. Përvoja e jetës na tregon që kur marrim vendime pa i menduar mirë mund a paguajmë shumë shtrenjtë. Ky vendim dëmton interesat e Shqipërisë dhe mund të na çojë vendin në destabilitet. Kjo na kujton një të shkuar që na rëndon mbi supe. Shqipëria e ka provuar destabilizimin. Me destabilizim ne zerojmë çdolloj zhvillimi dhe përparimi në procesin e demokracisë. Demokracia është fituar në Shqipëri. Kanë qenë njerëz të tjerë që e kanë bërë këtë sakrificë për ne, kanë derdhur nëpër rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë për të nisur demokracinë në Shqipëri. Demokracia është një proces dhe ne duhet të punojmë së bashku për të përparuar Shqipërinë, për të forcuar institucionet tona dhe për të bërë të pamundurën për ta çuar Shqipërinë drejt proceseve euro-atlantike.
Destabilizimi është një kthim pas, ndaj unë do të doja që Shqipëria të mos e përjetojë kurrë më këtë gjë. Do të doja që të ishim të gjithë së bashku të një mendimi që Shqipëria të mos shkojë më drejt asaj rruge. Këtë lloj politike, këtë model politike, që e ka çuar Shqipërinë në destabilizim, shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë. Prandaj mendoj se vendimi im është ai i duhuri.
Zëri i Amerikës: Ka patur kandidatë nga listat dhe nga Partia Demokratike që nuk i janë bindur vendimit për heqjen dorë nga mandate, dhe tani ata po cilësohen si tradhëtarë, njerëz që kanë shitur shpirtin, që janë blerë nga shumica. A druheni se të tilla akuza mund të bien dhe mbi ju?
Rudina Hajdari: Kjo gjë mua nuk më shqetëson absolutisht fare, sepse këto akuza vijnë nga njerëz me shpirt të ngordhur dhe që janë shpresë-shtypësit e këtij vendi. Unë nuk jam nga ata njerëz: Unë nuk e shes shpirtin tim. Në momentin që shpirti shitet nuk blihet më. Ajo që më shqetëson mua gjatë gjithë ditës është që të jem përfaqësuese e mirë e këtij populli, të jem një nënë e mirë, të jem një grua e mirë dhe të bëj të pamundurën që të ecim përpara për ta zhvilluar Shqipërinë në të gjitha fushat e mundshme. Ato epitete nuk më shqetësojnë.
Zëri i Amerikës: Në rastin e deputetit Murrizi u shkua deri në masën e përjashtimit nga Partia Demokratike. E keni parashikuar një gjë të tillë?
Rudina Hajdari: Unë dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se kjo nuk është hera e parë që ajo përjashton deputetë apo anëtarë të saj, madje kanë ndodhur edhe në familjen time, ka ndodhur me tim atë dy herë dhe në të dy rastet ato janë penduar për këto vendime.
Zëri i Amerikës: Azem Hajdari është kryetari i parë i Partisë Demokratike.
Rudina Hajdari: Po. Im atë është titulluar kryetari historik i Partisë Demokratike. Pas vdekjes së tij, ai është titulluar kryetari i përhershëm i Partisë Demokratike. Gjatë jetës së tij Azem Hajdari është përjashtuar dy herë nga Partia Demokratike dhe për këto vendime besoj se Partia Demokratike është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime.
Për sa i takon disiplinës brenda Partisë Demokratike, çdo deputet ka peshën e vet në vendimet e partisë. Kur marrim këto vendime kaq të rëndësishme në një mënyrë kaq të rrufeshme, duhet të jemi të përgjegjshëm se çdo deputet ka peshën e vet dhe vendim-marrjen e vet.
Ky vendim ka lidhje me Kushtetutën tonë. Unë nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial, që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesit të Shqipërisë. Më vjen keq nëse unë zhgënjej partinë time në këtë mes, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë mbi të gjitha.
Zëri i Amerikës: Cili do të jetë qëndrimi juaj në parlament dhe marrëdhëniet me ata përfaqësues të opozitës që tanimë kanë hyrë apo dhe disa të tjerë që e kanë shprehur publikisht se do ndërmarrin të njëjtin veprim?
Rudina Hajdari: Gjërat janë akoma në ajër. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Unë do të kem një marrëdhënie shumë normale e korrekte me kolegët, do të përpiqem të konsultohem dhe të punoj fort me intelektualët e këtij vendi, me studentët, me njerëzit, për të parë se si mund të ecim përpara. Por kjo bëhet duke përfaqësuar njerëzit brenda parlamentit, bëhet duke mos rrëzuar sistemin. Ne kemi luftuar shumë për këtë sistem. E kanë paguar të tjerë këtë çmim. Ne duhet të ecim përpara. Ne duhet të përmirësojmë sistemin aktual. Ky ka qenë gjithnjë synimi im në të gjithë angazhimet e mëparshme. Edhe kur thoja të përfshihemi me studentët, ishte që unë doja ta përmirësoja sistemin dhe jo ta rrëzoja sistemin.
Zëri i Amerikës: Si e shihni ju situatën politike dhe zhvillimet brenda opozitës, raportet e saj me qeverinë dhe rendin e protestave?
Rudina Hajdari: Partia Demokratike është një parti shumë e madhe opozitare. Anëtarësia e saj është shumë e gjerë dhe unë kam kontakt me ta. Nuk e ndjej veten time të ndarë nga ata.
Tani unë po flas thjesht për këtë vendim. Të gjithë duhet të reflektojmë dhe si t’i zgjidhim këto probleme. Nuk mund të futemi ne në një mes ku nuk shohim krye se çfarë do të ndodhë. Ne nuk mund të parashikojmë dot se çfarë lloj rreziku mund t’i sjellë ky vendim Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në vend. PD po lufton për votën e lirë dhe të ndershme. Këtu edhe kam një gjë tjetër: E kam shumë të vështirë të luftoj përkrah një partie si LSI. Nuk e bëj dot sepse është një çështje parimore për mua. Po të hapësh raportet e OSBE/ ODIHR, ajo është një nga partitë që ka patur shumë probleme kur vjen fjala për këtë fenomen. Vota e lirë dhe e ndershme duhet të kërkohet nga Partia Demokratike, sepse ka rekorde jashtëzakonisht të pastra kur vjen puna për të mos e shitur votën e saj por ka vepruar në mënyrë të drejtë.
Ne jemi një parti që jemi ngritur qysh herët kundër sistemit diktatorial dhe kundër së keqes në Shqipëri, ne duhet të vazhdojmë të jemi Partia Demokratike, ashtu si ishte qysh në origjinën e saj, duke përmirësuar sistemin aktual, sepse ne e kemi sjellë sistemin demokratik në Shqipëri.