Rusia ka thënë se planifikon të dëbojë të huajt e diagnostikuar me koronavirusin e ri, teksa Kina ka fajësuar Shtetet e Bashkuara për nxitje të frikës për shpërthimin e virusit, në vend që të ofrojë ndihmë konkrete.
Kryeministri rus, Mikhail Mishustin ka thënë në një takim qeveritar më 3 shkurt se një forum vjetor për investime, që ishte planifikuar të mbahej në Soçi më vonë gjatë këtij muaji, është shtyrë për shkak të virusit.
Aktualisht në Rusi është konfirmuar për dy raste të prekura nga virusi.
Të dy janë shtetas kinezë.
Ndërkohë, numri i rasteve të vdekjes si pasojë e virusit në Kinë ka arritur në 361, derisa rreth 17,300 persona janë infektuar me koronavirusin e ri në shumë vende të botës.
“Virusi i ri është shtuar në listë të sëmundjeve shumë të rrezikshme. Kjo gjë do të na lejojë neve të dëbojmë shtetas të huaj, nëse ata diagnostikohen me një sëmundje të tillë”, ka thënë Mishustin.
Njoftimi i Mishustinit ka ardhur disa orë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se planifikojnë të marrin shtetasit amerikanë nga provinca kineze Hubei, ku ka shpërthyer fillimisht virusi.
Ministria e Jashtme kineze ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për reagime të tepruara rreth kësaj situate, duke u bërë shteti i parë që ka sugjeruar largimin e pjesshëm të stafit diplomatik, dhe ndalimin e udhëtimit për shtetasit kinezë drejt SHBA-së.
Përveç kësaj, Kina ka njoftuar të hënën se ka kompletuar ndërtimin e një spitali të ri me 1,000 shtretër për të trajtuar viktimat e virusit të ri.
Spitali i ri është ndërtuar në vetëm 10 ditë.