Alina Polyakova*
Huawei, kompania kineze e telekomunikacionit dhe prodhuesi më i madh i pajisjeve telekomunikuese në botë, ka ndihmuar qeveritë afrikane të spiunojnë kundërshtarët politikë. Pekini gjithashtu ka shitur rrjete të mbikëqyrjes masive në Ekuador dhe po këshillon gjithnjë e më shumë regjime autokratike për “menaxhimin e informacionit”. Ka arsye që të shqetësohemi për eksportimin e teknologjisë kineze.
Por Kina nuk është tregtari i vetëm që ofron mjete të mbikëqyrjes dixhitale për të fortët. Mund të duket tunduese të hedhësh poshtë Rusinë si e parëndësishme në këtë fushë, por kjo do të ishte një gabim. Në fakt, modeli rus i teknologjisë së ulët të autoritarizmit dixhital mund të provohet më i përshtatshëm dhe i qëndrueshëm.
Shumë vende të tjera sillen më shumë si Rusia sesa si Kina: Burime të zhvatura nga aspirantë për autoritarë pa “Murin e madh të Zjarrtë” për të filtruar të dhënat dhe bllokuar përmbajtjen. Modeli kinez i mbikëqyrjes mbështetet në parimin e integrimit të plotë të të dhënave offline dhe online, duke lidhur gjithçka, nga pamjet televizive me qark të mbyllur me aktivitetin e mediave sociale deri te regjistrimet mjekësore. Kjo kërkon burime të mëdha administrative. Pak shtete mund të përballojnë nivelin e investimeve që duhen për ta arritur një gjë të tillë.
Këtu mund të fshihet forca e modelit të Rusisë.
Në vendin e saj, teknologjia ruse e mbikëqyrjes mbështetet më pak në filtrimin masiv – ose, siç është rasti në Kinë, bllokimi i informacionit përpara se të arrijë te qytetarët – dhe më shumë në monitorimin post-hoc, një rrjet ligjor shtypës që frikëson kompanitë private dhe organizatat joqeveritare. Kjo është shumë më e lehtë për t’u ndjekur si shembull.
Ndërsa Pekini vendosi kontrollin e qeverisë mbi internetin në vitet 1990, interneti në Rusi (si në shumicën e vendeve) depërtoi në shoqëri në mënyrë relativisht të pakontrolluar. Facebook, Tuiter dhe Google – të gjithë të bllokuar në Kinë – janë të aksesueshme në Rusi. Kjo është arsyeja pse qeverisë ruse i është dashur të ndërtojë një infrastrukturë të mbikëqyrjes dixhitale që mund të rrijë në krye të një hapësire të hapur dixhitale, duke përdorur më pak burime shtetërore sesa janë përdorur nga Kina.
Marrim Sistemin e Masave të Kërkimit Operativ, ose SORM, i cili bazohet në një sistem mbikëqyrje të epokës sovjetike për monitorimin e thirrjeve telefonike. Në vitin 1995, sistemi u rigjenerua dhe u zgjerua për të monitoruar trafikun e e-maileve dhe internetin. Sot, një numër gjithnjë e më i madh kompanish, përfshirë kompanitë e telekomunikacionit, ofruesit e shërbimeve të internetit dhe platformat e mediave sociale, detyrohen me ligje të instalojnë pajisjet SORM.
SORM nuk e bllokon informacionin. Por, ajo lejon shërbimet e sigurisë dhe agjencitë qeveritare të përdorin të gjitha të dhënat që dalin në internet dhe në rrjetet telekomunikuese. Praktikisht, SORM funksionon si “dera e pasme” e qeverisë në internet. Mund të përdoret për të gjurmuar të dhënat personale si Protokolli i Internetit, ose IP-të, adresat, emrat e përdoruesve të mediave sociale dhe adresat e postës elektronike të, për shembull, ato të udhëheqësve të protestave ose politikanëve të opozitës.
Kompanitë ruse kanë shitur teknologji që lidhen me SORM në Bjellorusi, Kirgistan, Kazakistan dhe Ukrainë – dhe në vendet e Amerikës Latine, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. MFI Soft, një nga kompanitë më të mëdha që bën të mundur shërbimin SORM, ofron një shumëllojshmëri paketash dhe shërbim 24-orësh ndaj klientit, dhe pretendon se ka një dekadë përvojë në sigurimin e pajisjeve. Një nga paketat më të njohura të MFI Soft, SORMovich, mund të blihet për afërsisht 20 000 dollarë. Në vitin 2017, MFI Soft u bë pjesë e një konsorciumi në rritje të kompanive që merren me të ashtuquajturën “siguri informacioni”, grup i njohur si Citadel. Masa për të konsoliduar tregun e teknologjisë së mbikëqyrjes nën një kompani ombrellë të bën të mendosh se Kremlini synon të shkallëzojë aftësitë dhe të harmonizojë çmimet.
SORM mund të krahasohet në një farë mase me nismën “Sharp Eyes” të Kinës, e cila synon të kthehet në një sistem plotësisht të gjithëpranuar që integron inteligjencën artificiale dhe të dhënat e mbledhura nga mbikëqyrja e sistemit video dhe ajo në internet. As kjo nuk është e sigurt. Kohët e fundit, një programues rus zbuloi se pajisjet SORM po lëshonin të dhënat personale të rusëve, përfshirë koordinatat e vendndodhjes dhe numrat e telefonit. Por ndryshe nga vizioni kompleks kinez i mbikëqyrjes së plotë, teknologjitë SORM janë relativisht të lehta për t’u instaluar dhe për t’u integruar me sisteme të tjera.
Rusia nuk ka qenë lider eksportues i teknologjisë së lartë mbikëqyrëse dixhitale, dhe është e paqartë se në çfarë mase kompanitë ruse konkurrojnë drejtpërdrejt me kompanitë kineze për të njëjtat tregje. Për kompanitë kineze, përqindja e vogël e tregut të Rusisë në teknologjinë e mbikëqyrjes nuk ka të ngjarë të shihet si një kërcënim konkurrues. Ndërsa gjithnjë e më shumë vende po përshtatin teknologji të tjera kineze, të tilla si sistemet 5G të Huawei-t, pajisjet e përputhshme të mbikëqyrjes të bëra nga kinezët do të bëhen gjithnjë e më të lira dhe do të instalohen më lehtë. Ndërsa kostoja e teknologjive të prodhuara nga Kina zvogëlohet, hapësira që u bën të mundur eksporteve ruse të konsolidohen do të vijë duke u ngushtuar.
Por Rusia po eksporton edhe ide. Ligji i ashtuquajtur “internet sovran”, i nënshkruar nga Presidenti Vladimir Putin në fillim të këtij viti, hyri në fuqi më 1 nëntor. Teorikisht, ligji i lejon qeverisë të ndërpresë internetin rus në tërësi ose pjesërisht nga interneti global në për të parandaluar, për shembull, organizmin e protestave nëpërmjet komunikimit që ai bën të mundur. Ligji gjithashtu sanksionon që ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokojnë automatikisht faqet e internetit të ndaluara dhe të monitorojnë (dhe bllokojnë nëse u kërkohet) komunikimet ndërkombëtare.
Edhe para se ligji të hynte në fuqi, qeveria ruse kishte eksperimentuar me mbyllje të internetit në celular në disa raste gjatë protestave antiqeveritare në Moskë këtë verë. Vende të tjera kanë ndjekur shembullin e Moskës: Në nëntor, në mes të protestave masive, Irani mbylli me sukses internetin në të gjithë vendin. Mbyllje të tilla janë pjesë e një tendence në rritje: Regjimet autoritare po mësojnë nga njëri-tjetri se si t’i kthejnë këto teknologji në armë.
Sjellja në të kaluarën e Rusisë sugjeron që kur Perëndimi është i zënë me diçka tjetër, Rusia kërkon mundësi të reja për të çuar përpara ndikimin e saj. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara rritet skepticizmi për kompanitë e teknologjisë kineze dhe përpiqen t’u bëjnë presion vendeve të tjera për të mos i dhënë akses, eksportuesit rusë të teknologjisë së mbikëqyrjes mund të hyjnë në lojë duke u ofruar si model alternativ, dhe ndoshta më të përballueshëm, të autoritarizmit dixhital.