Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi për televizionin A2 se kurba e pandemisë në vendin tonë është e qëndrueshme dhe Covid-19 është nën kontroll.
Sipas saj, treguesi kryesor i kësaj është fakti se “numri i njerëzve të shtruar në spital është duke ardhur në rënie”.
Kur u pyet se sa gati jemi ne për t’iu kthyer normalitetit, Rakacolli theksoi: “Zgjatja e orarit është bërë pas një diskutimi të hollësishëm të Komitetit të Ekspertëve. Është menduar se kjo nuk do ta rëndojë epideminë, pasi do të jetë një hapje ku do të respektohen masat e sigurisë. Nëse masat nuk zbatohen, do të ketë penalitete”.
Në lidhje me strategjinë që po ndiqet për testimet, Rakacolli tha: “Ne kemi testuar ata njerëz që kemi pasur dyshim se janë 100% pozitivë dhe nëse nga këto testime kanë dalë vetëm 10% pozitivë, do të thotë se hetimi epidemiologjik është bërë shumë mirë. Shkodra tregon se sa mirë është bërë hetimi. Unë do të isha e shqetësuar nëse ato 12 raste që kanë dalë sot pozitivë, do të kishin qenë njerëz që do të shkonin në spital se ishin të sëmurë. Ata janë asimptomatikë. Duke u nisur nga kjo, mendoj se strategjia ka qenë e arsyeshme”.