Beteja e autoriteteve shëndetësore të gjithë botën me koronavirusin i ngjan një lufte në të cilën nuk njihet mirë armiku. Dhe kjo i jep përparësi atij.
Mënyra si sillet virusi, përhapja e tij në vende të ndryshme dhe reagimi i sistemit imunitar të secilit individ që infektohet janë ende subjekt i studimeve që pritet të kryhen, ndërkohë që vijojnë të mblidhen të dhëna. Megjithatë, deri tani ekspertët kanë disa përgjigje për pyetje që disa javë më parë mbeteshin pa të tilla.
Një person i infektuar mund të mos shfaqë simptoma për rreth një javë, pra të mos e dijë as vetë se është i infektuar, dhe kjo përbën rrezik të lartë për përhapjen e virusit te të tjerët.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që e kalojnë me sukses këtë sëmundje dhe deklarohen nga mjekët si të shëruar.
Ata mbeten burim potencial infeksioni për disa javë edhe pasi kanë rezultuar negativë për virusin në të paktën dy teste.
David Ho, ekspert i epidemive virale, i angazhuar për dekada të tëra në luftën kundër virusit HIV/AIDS, thotë se një i shëruar është burim infeksioni për të paktën tre javë.
“Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nuk jemi të sigurt; një individ në Kinë u vu re se mbeti burim i virusit për më shumë se një muaj. Por në mënyrë tipike, ne kemi parë një periudhë tre-javore”, thotë.
Përgjithësisht, pasi konsiderohen të shëruar këta pacientë lënë spitalin disa ditë më vonë. Por sipas ekspertëve, izolimi i tyre duhet të vijojë, në mënyrë që sëmundja të mos kalojë të të tjerët.