Kryeministri Edi Rama tha gjatë një interviste për emisionin “Open” në Top Channel se “në pranverë do të ketë vërtetë pranverë për shqiptarët e prekur nga tërmeti“.
Kreu i qeverisë garantoi shqiptarët se shtëpitë do ndërtohen dhe se përveç Evropës, do të ketë ndihma edhe nga Turqia dhe Arabia, pasi sipas tij aty “qeverisin dy miq të tij”.
“Sa të jem unë e garantoj se do të ndërtohet gjithçka. Kam miqtë e mi që drejtojnë jo vetëm në Evropë, por edhe në Turqi dhe Arabi. I kam bërë letër kryeministrit të Australisë. Do kemi shumë shpejt një konferencë donatorësh. Në pranverë do të kemi pranverë të sigurtë”, tha Rama.
Rama tha se akomodimi i familjeve në hotele ishte një ide e tij dhe ishte padëgjuar më parë.
“Kjo është një zgjidhje ideale që nuk i ka shkuar mendja njeriu. Më shkoi mendja mua dhe ja ku është”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri u tregua i ashpër me gazetarët dhe specialistët që flasin për tërmetin, dhe që sipas tij përhapin panik kriminal.
“Është kriminale paniku i stimuluar tek njerëzit. Njerëzit që nuk kanë haber fare flasin për tërmetet, për fenomenet natyre. Ka mijëra njerëz që janë jashtë, kjo është kriminale”, tha Rama.
Rama tha se portalet që përhapin lajme të rremë duhen mbyllur.