Sport Sadiku e thotë hapur: Me Panuccin, nuk kishte grup. Me Rejën ka...

Sadiku e thotë hapur: Me Panuccin, nuk kishte grup. Me Rejën ka ndryshuar atmosfera

Kuqezinjtë luajnë ndaj Islandës dhe Moldavisë në qershor dhe duhen rezultate pozitive. Në konferencën për shtyp, sulmuesi elbasanas ka folur rreth disa temave…

Armando Sadiku e ka mbyllur këtë sezon me skuadrën e Luganos në Zvicër (i huazuar nga Levante), teksa nuk ka lënë gjurmë aq sa pritej, edhe pse ekipi zvicerian shkoi në Europa League. Por, tani është rikthyer në realitetin kuqezi, aty ku mungojnë golat e tij, pasi Shqipëria vuan sidomos në aspektin ofensiv.

Risitë e trajnerit Reja?

Trajneri ka punuar në stërvitje skemën që duhet praktikuar ndaj Islandës, 3-5-2. Ishte stërvitje intensive. Duket që i pëlqen të qëndrojë në fushë dhe t’i japë këshilla çdo futbollisti në çdo rol dhe i pëlqejnë edhe opinionet tona. Kjo është pozitive për ne.

Sa gati e ndjen veten dhe a do të luash titullar?

Fatmirësisht kemi shumë kohë deri ditën e ndeshjes së parë me Islandën. Gjithsecili duhet ta përgatisë veten deri ditën e ndeshjes. Kjo është pozitive. Sa i përket titullar, dje ishte dita e parë, sot e dyta. Akoma nuk e di, trajneri do të bëjë zgjedhjet e tij. Dita e dytë.

Varësi nga golat tuaj: a ka ardhur momenti të shënoni gola të rëndësishëm?

Gjithmonë jam munduar të jap më të mirën: si në klub, ashtu edhe në kombëtare. Siç shënova në Andorra, edhe pse nuk isha në formën optimale. Luajta dhe shënova. Gjithmonë përpiqem të shënoj. Dua të jem deçiziv siç kam qenë edhe më përpara.

Pse pas Europianit, Shqipëria hasi vështirësi, sidomos në grup. Çfarë ndodhi?

Ndryshim brezi, nga Franca ka pasur prurje të reja. Të gjithë e dimë që shumica e lojtarëve kishte probleme në klubet përkatëse. Gjysma e skuadrës nuk ka luajtur, ndaj ndikon në ndeshje. Me Panuccin, ky ishte problemi. Me rregullat që kishte ai, në fillim nuk krijuam raport shumë të mirë.

Por, besoj që forca më e madhe ka qenë grupi. Duhet të përmirësojmë këtë gjë, për t’u bërë si në Europian, me De Biazin. Atmosfera tani, me trajnerin Reja, është shumë e mirë. Besoj se do të rigjejmë grupin që kishim më parë.

Islanda, si ju duket?

Ekip që luan mirë në lojën në ajër. Vetë rezultatet flasin: ka shkuar në Europian dhe Botëror. Kanë eksperiencë tashmë. Njëherë kam luajtur ndaj tyre. Duhet të harrojmë ato dy ndeshje që kemi luajtur ndaj tyre, duhet të fokusohemi te kjo. Atmosfera është ndryshe dhe e mirë, ndaj duhet të përgatitemi.

Atmosfera ka ndryshuar nga Panucci te Reja. Do t’iu ndihmojë?

Sigurisht, shumë! Ndihem më mirë kur jam i lirë. Kjo ka qenë forca jonë, të flisnim me njëri-tjetrin dhe të krijojmë grupin. Ambjeti që ka krijuar trajneri është pozitiv.

Si po e përgatit trajneri këtë ndeshje të rradhës, edhe nga ana taktike dhe psikologjke?

Gjëja që  më pëlqeu më shumë te trajneri ka të bëjë me komunikimin. Ai ka bërë që çdo futbollist të ndihet i rëndësishëm. Kur ai të vjen dhe të flet, duke të dhënë besim, të bën të mendosh se do të luash.

Ai po mundohet të mbajë grupin të motivuar në 100%. Mundohet t’i japë idetë e skemës së tij 3-5-2. Duhet ta praktikojmë mirë dhe ndaj Islandës duhet të marrim pikët maksimale.

E ardhmja juaj?

Kam dy vjet ende me Levanten në kontratë. Isha në huazim te Lugano sepse vija nga një dëmtim i rëndësishëm. Për fat e përfundova me sukses te Lugano, pasi shkuam në Europa League. Tani në korrik kthehem te Levante dhe do të nis grumbullimin atje.