Drejtuesi i emisionit investigativ Saimir Kodra ka treguar prapaskenat e përgjimit të pedagogut të Universitetit të Elbasanit, Denis Himçi i cili u filmua duke i kërkuar favore seksuale një studenteje në këmbim të kalimit në provime.
I ftuar mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, Kodra tha se përgjimet janë kryer në një periudhë kohore prej rreth 1 jave. Ai tha se studentja ishte instruktuar që të mos e provokonte Himçin. Duke e cilësuar vajzën “heroinë”, Kodra tregoi se ishte ai që e kishte këshilluar vajzën si të vishej.
“Vajza ka vajtur me misionin e qartë që si ky që mua më kërkoi afera seksuale, pra vajzës, por mund të qëllonte edhe që mund të kërkonte lekë. Ka pasur raste që edhe pa fund. Por vajza ka vajtur me misionin e qartë: nuk provokoi sepse kishte ustallarë që e këshillonin, më falni për mungesën e modestisë, që i thashë se duhet të jesh e veshur, dhe po ta shikosh videon është e veshur me xhinse dhe bluzë të trashë, edhe pse është fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut”.
Kodra këmbënguli se nuk ka pasur aspak provokim nga ana e vajzës, madje u shpreh se në fakt ajo edhe mund ta kishte bërë, nëse nuk do të kishte orientimin e saktë të stafit.
Por si e kontaktoi vajza pedagogun?
Saimiri tregoi se ka qenë ndërmjetëse një shoqe e saj dhe janë takuar në një kafene. Madje ai shprehet se pedagogu ka përmendur edhe dy vajza të tjera që me sa duket edhe atyre duket “t’ju ketë mbaruar punë”.
“Ka qenë ndërmjetëse një shoqe e kësaj tjetër. Sepse kjo njihej si studente atje, ka pasur një debat më parë, pastaj është lidhur me një ndërmjetëse dhe e prisnin me kafe. Po ta shohësh në fillim të videos, e prisnin… që i thotë ky më pas, ishte me ato dy të tjerat, që siç duket edhe atyre u ka mbaruar ky ndonjë punë tjetër. Pra vajza ka pasur një konsulencë të jashtëzakonshme tonën, që të mos e provokojë, mos jetë asnjë rast, nuk ia vlente barra qiranë. Unë e dija shumë mirë që do të vinte një moment pas transmetimit, do të përballesha me audiencën, me të gjitha. Nuk kisha asnjë farë interesi. Gjithë kohës i thosha ti do të ruash staturën e studentes. Domethënë nuk e di mesa sforco e ka bërë, por vajza ka ndjekur instruksionet tona”.