Aktualitet Sa vite burg rrezikon pedagogu që i kërkoi studentes favore seksuale?

Sa vite burg rrezikon pedagogu që i kërkoi studentes favore seksuale?

Pas publikimit të videoskandalit në emisionin “Stop”, ku pedagogu Denis Himçi i kërkonte favore seksuale studentes në këmbim të kalimit të provimeve të mbartura, uniformat blu reaguan menjëherë duke e ndaluar dhe shoqëruar në komisariat.

36-vjeçari do të përballet me dy akuza për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Por sa rrezikon të dënohet pedagogu?

Mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Opinion”, avokatët thanë se nëse shpallet i fajshëm, Himçi rrezikon 2 deri në 8 vite burg.

“Sa dënohet? 2 deri në 8 vite në këtë rast. Këtu kemi edhe një aspekt tjetër, që mendoj se mbase duhet të shihet, ashpërsimi i goditjes se përfitimit seksual si një formë e përfitimit jomaterial. Duke parë rastet që është kthyer në një fenomen, mbase shoqëria shqiptare duhet ta ashpërsojë si cilësim ligjor të veçantë”, u shpreh avokatja Arnida Çapi.

Përgjimet ishin kryer në një periudhë kohore prej rreth 1 jave dhe sipas drejtuesit të emisionit investigativ “Stop”, Saimir Kodra, studentja ishte instruktuar që të mos e provokonte pedagogun.