Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar sot se është gati të lërë mandatin e tij si President për zgjidhjen e krizës në vend. Meta tha se është gati të sakrifikohet si Salvador Allende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake.
“Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”, deklaroi Meta.
Por kush ishte lideri kilian që vrau veten me qëllimin e lartë për të mos sakrifikuar popullin e vet.
Salvador Allende, që në fillimet e karrierës politike shfaq karakterin i tij pro-majtist por në të njëjtën kohë anti-leninist; refuzonte kategorikisht konceptin e partisë-shtet dhe diktaturën e proletariatit. Pikëpamjet e tij politike i krijuan armiq brenda dhe jashtë vendit.
Në zgjedhjet e vitit 1970 merr vendin e parë si kandidat presidencial. Nga SHBA-ja, ai u cilësua si filo-sovjetiku që do të instalonte një diktaturë komuniste nëse do të zinte postin e presidentit. Për më tepër amerikanët kishin interesa të shëndosha ekonomike në Kili ku vendin kryesor e zinte industria e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit. Surpriza tjetër, përveç fitores në votime, erdhi kur Allende arriti të siguronte vota më gjerë se komunistët, socialistët e socialdemokratët, duke marrë mbështetjen e demokristianëve. Si rezultat, pas 20 viteve me beteja elektorale, Salvador Allende bëhet presidenti i parë “marksist” në botë që zgjidhet brenda mekanizmave të demokracisë moderne.
Allende kishte vendosur t’i mbante premtimet e tij të dhëna gjatë fushatës: “Nëse do të më bëjnë shoshë me plumba, vetëm atëherë do të mund të ndalin programin tim politik”, shprehet Allende në një fjalim me mbështetësit e tij. Nisi një fushatë të gjerë të nacionalizimit të industrive kryesore të vendit, përfshirë këtu edhe industrinë e bakrit. Shteti tashmë kontrollonte 90% të minierave, mbi 80% të bankave, mbi 80% të industrive prodhuese, mbi 70% të ndërmarrjeve bujqësore dhe mbi 50% të bizneseve të vogla.
Të gjitha këto reforma, duke u bashkuar edhe me simpatinë që Allende po tregonte drejt vendeve të tjera antipatike për perëndimorët, si Kuba e Fidelit, irrituan presidentin Nikson i cili nisi planifikimin për t’i “shtypur kokën këtij biri k…e” (fjalët e Niksonit sipas ambasadorit të SHBA-së në Kili, E. Korry). Ishte e nevojshme, sipas terminologjisë së administratës Nikson, të zhdukej “virusi” që inkurajon shtete si Kili në ndjekjen e një politike për zhvillim, të pavarur nga luanët e ekonomisë botërore. Ja si shprehet arkitekti i ndërhyrjeve amerikane në Kili. Henry Kissinger: “Nuk shoh asnjë arsye përse duhet të lejojmë që një vend të bëhet marksist sepse populli i tij është i papërgjegjshëm. Çështja është shumë delikate për t’ia lënë votuesve kilianë në dorë”.
Pengesa e fundit në arenën ndërkombëtare ishte Bashkimi Sovjetik, por edhe kjo pengesë ra. Kremlini refuzoi ndihma ekonomike për një vend që aspironte socializmin pa diktaturë, pa terror policor e me votë të lirë, kështu që nuk ja vlente të investoje në një projekt “të dështuar”.
Duke u mënjanuar disa pengesa brenda ushtrisë kiliane, pak nga pak u maturuan kushtet për realizimin e një grushti shteti.
Grushti i shtetit
Më 11 shtator 1973 vihet në lëvizje plani i puçit. Forcat e armatosura, të drejtuara nga Augusto Pinochet, i drejtojnë ultimatum funksionarëve të Monedas (pallati presidencial) për t’u larguar dhe dorëzuar në duart e forcave ushtarake. Mbas një rezistence të shkurtër, filloi dhe bombardimi i pallatit nga aviacioni. Shpresat u shuan kur u mor vesh se Pinochet ishte në krye të puçit; deri atëherë Allende ishte shprehur i shqetësuar për jetën e gjeneralit të tij të “besuar”, të cilin e konsideronte si shpresa e fundit për zgjidhjen e situatës.
Në çastet e fundit të jetës, me helmetë në kokë, një AK-47 dhuratë e Kastros në krah dhe receptorin e telefonit në vesh, Allende bën lidhjen e fundit në radio ku i drejtohet vendit: […] Në emër të interesave më të shenjta të popullit, në emër të atdheut ju bëj thirrje që të keni besim. Historia nuk ndalet as me shtypje as me krime, kjo është një fazë që do të kapërcehet, është një moment i vështirë. Mund edhe të na heqin qafe, por e nesërmja do të jetë e popullit. Njerëzimi do të vazhdojë në kërkimin e një jete më të mirë.[…] Në këto momente avionët po fluturojnë mbi ne. Mund të hapin edhe zjarr. Por ta dini mirë se ne jemi këtu, për të treguar që në këtë vend ka njerëz që bëjnë detyrën e tyre deri në fund. Unë do të jem këtu për të respektuar mandatin e popullit, me vetëdije se jam një president që duhet të ruajë dinjitetin e detyrës së tij.[…] Qytetarët duhet të mbrohen por jo të sakrifikohen. Populli nuk duhet të bëhet shkak i shfarosjes së vet. […] Kam besim tek Kili dhe fati i tij. Të tjerë njerëz do ta kalojnë këtë moment gri dhe të hidhur ku tradhtia kërkon të sundojë. Ecni përpara duke ditur se, shumë shpejt, do të hapen rrugët në të cilat do të kalojë njeriu i lirë, për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.[…]”
Allende nuk pranoi kurrsesi të binte në duart e puçistëve dhe, sipas versionit zyrtar, vret veten.
Terrori në Kili
Me mijëra mbështetës të Allendes që kishin zbritur në sheshe për ta mbështetur, masakrohen nga ushtarakët. Me mijëra opozitarë të skeduar më parë në lista të detajuara, fillimisht burgosen në stadiumin kombëtar të Santiagos dhe mandej zhduken duke shënuar fillimin e një masakre që numëron 40 mijë viktima, 2000 të vrarë dhe 38 mijë desaparescidos (të zhdukur). Në fund një regjim fashist u instalua.
Regjimi i Augusto Pinochet vrau mijëra njerëz, por megjithatë iku pa telashe nga pushteti më 1990. Nw vitin 1998 atij i caktohet arresti shtëpiak në Britani, ku vazhdoi të jetonte. Dy vjet më vonë u kthye në Kili për arsye shëndetësore, përfshirë çmendurinë.
Vetëm dy muaj pasi u akuzua për 36 rrëmbime, 23 raste të torturës dhe vrasjes, pëson sulm në zemër. Ai vdiq i rrethuar nga familja e tij, në njësinë e kujdesit intensiv dhe asnjëherë nuk u dënua për krimet e kryera.
Kujtimi pwr Allende
Eshtrat e Salvador Allendes, të cilat gjatë diktaturës u mbajtën nën një emër të rremë, u rivarrosën me të gjitha nderimet shtetërore në një ceremoni ku morën pjesë me qindra mijëra qytetarë.
Në botë Allende përkufizohej nga armiqtë si komunisti që donte të krijonte një Kubë të re dhe nga miqtë lindorë, si i marri që mendoi se do sillte socializmin me një revolucion pa dhunë dhe me mjete demokratike. Por për kilianët ai ishte dhe është thjesht presidenti Allende.