Pas dënimit me 3 vjet shërbim provë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka paralajmëruar një konferencë live për mediat për ditën e nesërme.
“Neser ne 11.30 shihemi live ketu, per te shpjeguar te verteten time, deri ne kete stacion te pare”, shkruan Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpall fajtor nën akuzën për “korrupsion” dhe u dënua me tre vjet në shërbim provë.
Kështu ai do të dalë edhe njëherë përpara mediave për të rregulluar imazhin e tij, sikurse veproi nëntorin e 2018-ës, kur doli vendimi i Prokurorisë së Antimafias italiane, që kishte pushuar çështjen për të.
Me vendimin e djeshëm Saimir Tahiri bëhet ministri i dytë që dënohet, por jo me burg, që pas rënies së diktaturës. I pari ish-ministër që u dënua ishte Spiro Ksera në vitin 2016.
Tahiri akuzohej për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Mirëpo gjykata e shpalli ish-ministrin Tahiri të pafajshëm për dy akuzat e fundit dhe fajtor vetëm për njërën akuzë, atë për “korrupsion”.
Gjykata e dënoi atë me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfiton uljen e një të tretës së dënimit, duke e reduktuar atë në 3 vjet e katër muaj burg.
Por përsëri Tahiri nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3-vjeçare.